Chrissy Teigen ka reaguar ashpër pas akuzave ndaj Meghan Markle për sjelljen e saj ndaj stafit të Pallatit Mbretëror. Prej disa ditësh mediat e huaja ziejnë për artikullin e publikuar nga “The Times”, në të cilin thuhet se Meghan kishte bullizuar disa anëtarë të stafit, por kjo e fundit i cilësoi këto akuza si një sulm ndaj karakterit të saj.
Modelja Teigen shkroi në Twitter se është prekur nga lajmet për dukeshën e Sussex-it, duke thënë se mund të ndikojnë negativisht në shtatzaninë e saj. “Këto lajme për Meghan Markle po më prekin shumë. Ata nuk do të ndalin derisa të abortojë. Duhet të ndaloni”, shkroi modelja. Akuzat ndaj dukeshës vijnë vetëm pak ditë para intervistës së saj me Oprah Winfrey, ku thuhet se do të flasin për arsyet që vendosën të hiqnin dorë nga rolet mbretërore.
LEXO EDHE: “Fushatë e përllogaritur shpifjesh”, Meghan Markle iu përgjigjet akuzave për bullizëm
Çifti, që tashmë jeton në Kaliforni konfirmoi muajin e kaluar se nuk do t’ju ktheheshin roleve mbretërore. Që nga largimi i tyre dhe para intervistës që pritet të transmetohet, përplasja e tyre me Pallatin Buckingham është përshkallëzuar. Të enjten, CBS publikoi një pjesë nga intervista në të cilën Megan theksonte se si familja mbretërore luajti një rol të rëndësishm në “përjetësimin e gënjeshtrave” ndaj saj dhe Harry-t.
Pallati Buckingham më herët konfirmoi se ka filluar një hetim në lidhje me pretendimet se Meghan kishte ngacmuar stafin e familjes mbretërore gjatë kohës që ishte në Britani. Ekipi i Markle u përgjigj me një deklaratë duke i quajtur akuzat një “sulm ndaj karakterit të saj” dhe duke thënë se ajo ishte “thellësisht e përkushtuar për të mbështetur ata që kanë përjetuar dhimbje dhe trauma”.
Zëdhënësi i tyre është shprehur se “nuk është rastësi që akuzat e shtrembëruara disa vjeçare që synojnë minimin e dukeshës po informohen pak para se ajo dhe duka të flasin hapur në intervistë. Ne jemi të zhgënjyer kur kemi parë këtë portretizim shpifës të dukeshës së Sussex nga një media”, theksoi ndër të tjera. /abcnews.al