Arsenali po shfaq oshilacione të shumta në kampionat. Djemtë e Mikel Artetës e mbyllën në barazim 1-1 sfidën e sotme jashtë fushe kundër Burnley. Miqtë kaluan shumë shpejt në avantazh me anë të kapitenit Aubameyang (6′), por një gafë e Granit Xhakës ndikoi që Burnley të barazonte ndeshjen në minutën e 39-të.
“Më vjen keq për gabimin, por ky është futbolli. Për momentin ndihem po aq i irrituar sa të gjithë ju“, reagoi mesfushori me origjinë shqiptare me anë të një postimi në rrjetet sociale në lidhje me gafën që i kushtoi dy pikë skuadrës së tij.
Arsenali mbetet në vend të dhjetë të Premier League me 38 pikë dhe zona Champions League është 9 pikë larg. Trajneri Arteta foli pas ndeshjes për mediat, duke mos e fshehur zhgënjimin e tij për rezultatin e sotëm. “Është e vështirë të fitosh kur nuk ia del të shfrytëzosh rastet e krijuara.
Duhet të kishim shënuar më shumë gola. Luajtëm në një fushë të vështirë dhe krijuam shumë shanse për gol. Penalltia e mohuar? Nëse nuk ishte penallti, atëherë më thoni ju se çfarë cilësohet penallti. Prodhuam shumë, duhet të kishim fituar.
E dominuam plotësisht pjesën e parë, e detyruam Burnley të luante me topa të gjatë. Më vjen keq, pasi pjesën e parë duhet ta kishim mbyllur minimalisht 0-2 ose 0-3“, deklaroi trajneri spanjoll i skuadrës londineze. /abcnews.al