Binjakëzimi me Pekinin, Veliaj pret delegacionin e lartë kinez

schedule16:03 - 6 Shtator, 2018

schedule 16:03 - 6 Shtator, 2018

Tirana do të bashkëpunojë me Pekinin në fushën e transportit, kulturës dhe turizmit. Kryetari bashkisë Erion Veliaj në 10-vjetorin e binjakëzimit mes Tiranës dhe Pekinit, kryebashkiaku Veliaj priti një  delegacion të lartë kinez.

Në 10-vjetorin e binjakëzimit mes dy kryeqyteteve, Tirana dhe Pekini do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e transportit, investimeve, kulturës dhe turizmit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim të veçantë një delegacion të lartë kinez, të kryesuar nga nënkryetarja e Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor të Bashkisë Pekin, në të cilin u ra dakord për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy qyteteve në disa sektorë të rëndësishëm.

“Kjo është një marrëdhënie që ka nisur 10 vite më parë, kur Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Pekinit bënë binjakëzimin midis dy qyteteve. Ka qenë një marrëdhënie e shkëlqyer në këtë dekadë të parë dhe mezi presim të nisim një bashkëpunim edhe më intensiv me Pekinin në fushën e transportit, investimeve dhe në fushën e kulturës dhe turizmit, sepse i shohim si baza të një marrëdhënie të shëndoshë për ta çuar më tej binjakëzimin tonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku  Veliaj  në shenjë miqësie i dorëzoi Nënkryetares së Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor të Bashkisë Pekin, “Çelësin e Qytetit”.

Ndërkohë Tirana është përzgjedhur si qyteti mikpritës i Forumit të Bashkëpunimi 16+1 në nivelin e kryetarëve të bashkive për vitin 2019, nismë e krijuar nga Kina, që synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe kulturor me 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 5 vende të Ballkanit.

 “Një nga gjërat që dakordësuam sot është se Tirana është përzgjedhur si qyteti mikpritës i Forumit “Kina +16”, në nivelin e kryetarëve të bashkive për vitin 2019. Mund të themi se që sot, përveshëm mëngët për t’u përgatitur për të pritur në Tiranë delegacionin e qeverisë kineze dhe 16 kryetarët e bashkive të Europës Qëndrore dhe Lindore. Kjo do ta kthejë Tiranën në një epiqendër të marrëdhënieve të Europës me Kinën”, tha ai.

Gjatë kësaj vizite, kryetarja e delegacionit Yan, Aoshuang dhe kryebashkiaku i Tiranës vizituan edhe Parkun e Liqenit, ku u përuruan edhe “Biseddat kineze”, një vepër që përcjell traditën kineze të ndërtimit në Shqipëri; kjo hapësirë do të shërbejë si një vend çlodhjeje, por edhe për biseda mes miqsh. Në mënyrë simbolike të miqësisë mes dy qyteteve, u mbollën edhe 24 bredha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!