Ndeshja Shqipëri-Izrael, policia merr masat

schedule15:09 - 6 Shtator, 2018

schedule 15:09 - 6 Shtator, 2018

Rreth  670 forca policore do të angazhohen për garantimin e plotë të sigurisë gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit tha se për shërbimet janë përfshirë policia vendore, Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, Reparti Special “RENEA”, Reparti Special “DELTA”, njësia antieksploziv, Policia Rrugore, Policia Kriminale, Policia Kufitare për kontrollin e shtetasve, që mund të vijnë nga jashtë shtetit, njësi të tjera të specializuara

Ndërkohë theksohet gjithashtu se po monitorohen edhe rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve, që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit.

Këto masa të policisë vijnë pas atyre në Nëntor të 2016-s, kur për arsye sigurie ndeshja midis Shqipërisë dhe Izraelit që  ishte parashikuar të luhej në Shkodër, u transferua për në Elbasan Arena.

Policia bën thirrje qytetarëve se nuk do lejohet hyrja dhe përdorimi në stadium i parrullave, pankartave apo provokimeve, që synojnë nxitjen e urrejtjes dhe të dhunës, Fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve të tjera piroteknike, i sendeve të forta apo metalike, si çelësa apo monedha, të cilat janë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve di Mbajtja e maskave, shisheve, tregtimi i pijeve alkoolike apo mbajtja e armëve etj.

Element i rëndësishëm i sigurisë, janë biletat e personalizuara me emrin e çdo personi që kërkon të hyjë në stadium, ndaj është e detyrueshme që çdo qytetar i cili kërkon të hyjë në stadium, krahas biletës, të ketë me vete edhe dokument identifikimi: letërnjoftim ose pasaportë.

Ndërkohë lokalet në afërsi të stadiumit, prej orës 14.00 do të mbyllen.

Gjithashtu do bëhet bllokimi i disa segmenteve rrugore, të cilat janë bërë publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ndërsa në sheshin para stadiumit, do të lejohen të parkohen vetëm automjetet e pajisura me autorizimin përkatës nga Federata Shqiptare e Futbollit./abcnews.al