Një gol i Pablo Sarabia në pjesën e parë i dha fitoren 0-1 PSG-së në fushën e Bordeaux. Tre pikë të rëndësishme për garën për titull, që këtë sezon është shumë e bukur dhe emocionuese në Ligue 1.
Lille kryeson me 62 pikë, PSG ndjek me dy pikë më pak, ndërsa më pas vijnë Lyon (59) dhe Monaco (55). Trajneri i kampionëve të Francës, Mauricio Pochettino analizoi fitoren e mbrëmjes së kaluar në transfertë.
“Në pjesën e parë dominuam dhe e kontrolluam lojën. Në pjesën e dytë e vuajtëm ritmin e lartë të ekipit kundërshtar. Pavarësisht kësaj, u mbrojtëm mirë dhe më pëlqeu skuadra.
Nuk mund të kemi kontrollin e ndeshjes gjatë gjithë 90 minutave, një gjë e tillë nuk të siguron fitoren. Na ndodhi me Monacon, e kontrolluam ndeshjen, por në fund dolëm pa pikë.
Këtë radhë ndodhi e kundërta dhe ia dolëm të fitojmë. Futbolli është një lojë kolektive, ndonjëherë disa lojtarë gjejnë pak hapësira, por të gjithë janë profesionistë dhe gjithmonë gati për të dhënë kontributin e tyre.
Një gjë e tillë më bën krenar. Mungojnë edhe 10 ndeshje deri në fund të kampionatit, na presin të tjera duele direkte. Duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet për t’u shpallur kampionë, thjesht duhet të kemi durim për të siguruar fitoren përfundimtare.
Neymar? Rikuperimi i tij po shkon mirë. Në përgjithësi jemi të kënaqur me mënyrën se si po rikuperohen lojtarët e dëmtuar. Nesër do të kemi një tjetër kontroll, të shohim se kush mund të jetë në gjendje për të luajtur në sfidën e ardhshme“, përfundoi Pochettino. /abcnews.al