Partizani ngeci në Fier kundër Apolonisë dhe sigurisht në kampin e kuq ishin shumë të zhgënjyer. Pas ndeshjes, në emisionin Gol pas Goli në Supersport foli trajneri Ilir Daja, i cili analizoi atë që i ndodhi skuadrës së tij në fushën e blertë.
“Kishim ardhur për fitoren, Apolonia nuk vodhi gjë. Kemi bërë vetam gabimin e autogolit. Kemi bërë ç’është mundur për të përmbysur, kishim shumë raste, kontrolluam lojën. Na vështirësoi fusha. Nuk është normale të luash në 13:00 në një fushë që ka një javë pa u vaditur.
Ne jemi ekip që luajmë poshtë dhe e kishim të vështirë. Barazimi i parë është para 9 javësh, nuk kishte pse ndikonte sot sepse kemi bërë mirë pas asaj ndeshje. Melo dhe Asani janë lojtarë të mirë me topin, por nuk gjejnë thellësi. As njëri as tjetri nuk mund të bënte gjë sot në atë terren.
Nuk e kam terrenin për justifikim, por po investojmë para në futboll dhe të mos ujisësh fushën… Cardoso nuk është qendërsulmues, por është përshtatur aty. Në merkaton e verës ishim të bllokuar dhe një lojtar i tillë kur luan qendërsulmues më shumë bën rolin e 9-shit fals sesa të gjejë golin.
Cordeiro është lojtar që përpiqet shumë. Nuk është stërvitur rregullisht dhe nuk e ka formën optimale. Mungesa e golave është statistikë dhe nuk e kundërshtoj dot, por ka bërë mirë në manovrën tonë”, u shpreh Daja. /abcnews.al