Partia Demokratike paditi në SPAK kryeministrin Edi Rama për koncesionin për hidrokarburet. Ish-deputeti demokrat, Agron Shehaj tha se koncesioni përbën një aferë korruptive dhe shkel rregullat në fuqi për zgjedhjet. I ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu, Agron Shehaj sqaroi akuzat dhe dyshimet.
“Edi Rama ka vendosur që të zëvendësojë sistemin e kasave fiskale në pikat e karburanteve dhe këtë mund ta bëjnë vetëm tre kompani. Cdo pikë karburanti duhet ta blejë sistemin në një nga këto tre kompani për 10 vitet e ardhshme. Ata do të vendosin çmimin, kjo është një taksë e re mbi naftën, pasi kur tregtarët do të detyrohen të instalojnë sistemin e ri të fiskalizimit.
Është si një skemë koncesionare. Kemi të bëjmë me një vendim që u mor në dhjetor u mbajt i fshehtë, u publikua tani në fletoren zyrtare. Është një skemë e ngritur kastile për të mos pasur konkurrencë, pse kjo licencë duhet të jetë 10 vite dhe të ketë vetëm 3 konkurrentë.
Ky është një oligopol me qëllime korruptive. Pse nuk thotë sa do u kushtojë pikave të karburantit, pse e mbajti të fshehur? Të gjitha pikat që ne na bëjnë të dyshojmë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive. E ftoj qeverinë ti sqarojë këto pika” tha ai.
Por si ka dalë vlera 100 mln euro, që PD akuzon për koncesionin? Shehaj tha se vlerën e pajisjes nuk e di, por tregoi llogarinë që ka bërë. “100 mln euro ka dalë nga ajo që detyrimi parashikohet të ketë pikat e karburantit shumëzuar për numrin e pikave të karburantit dhe 10 vitet”.
I pyetur se cfarë do të bëjë PD-ja nëse vjen në pushtet, ai paralajmëroi hapat ligjorë për ta anuluar. “PPP janë përdorur rëndomtë, ne do të zbatojmë ligjin nuk zhbëjmë me kokën tonë, ne jemi të bindur se janë afera korruptive dhe se ekzistojnë mundësitë për t’i anuluar” përfundoi ai. / db/ Abcnews.al