Armando Broja në këtë sezon po gëzon formë të jashtëzakonshme me Vittesse dhe është lojtari më i mirë në fazën ofensive për skuadrën holandeze, që e siguroi sulmuesin e kombëtares sonë në verë nga Chelsea në formën e huazimit.
Që nga debutimi i tij, Broja ka shënuar 9 gola dhe ka dhuruar 2 asiste në 20 ndeshje të luajtura këtë sezon. “Goal” e ka qendër të vëmendjes Brojën sot, teksa i ka marrë edhe një prononcim. Por ajo që veçon prestigjiozja britanike janë arritjet dhe rekordet e tij.
Broja është një nga debutuesit më të mirë në Holandë. Me golat e shënuar deri më tani ai ka arritur rekordin e Ibrahimovic në debutimin e tij te Ajax, teksa është shumë pranë arritjes së Luis Suarez, i cili shënoi 10 gola në debutimin në Holande me Groningen.
Por ky nuk është rekordi i vetëm i tij në këtë sezon. Broja është lojtari me më shumë gola për moshën e tij në 10 ligat më të rëndësishme në Europë, të përcaktuara sipas koeficientit të UEFA-s. Në mars ai pritet të jetë pjesë e kombëtares për Eliminatoret e Europianit dhe shpresojmë të jetë në të njëjtën formë si me Vittessen.
“Nëntë gola dhe dy asistime janë shifra të mira, por unë kurrë nuk jam i kënaqur. Unë dua të shënoj më shumë gola dhe asistime. Kam luajtur mbi 1000 minuta dhe kam 11 kontribute në gola. Nuk është keq, por dua më shumë”, komentoi Broja rekordet e tij. /abcnews.al