Nga Catherine Cornet, Internazionale
Kandidati i ri Emmanuel Macron, i zgjedhur President i Republikës Franceze më 7 maj 2017 në moshën 40 vjeçare, u prit fillimisht mirë nga bota intelektuale franceze. Pas stilit ekstravagant të presidentit të krahut të djathtë të Nicolas Sarkozy dhe zhgënjimit nga presidenca e socialistit François Hollande, Macron iu paraqit francezëve si ish-ndihmësi i filozofit Paul Ricœur.
Referencat e tij kulturore, u konsideruan gjithashtu efektive për të frenuar rritjen e ekstremit të djathtë në vend. Në vitin 2017 libri “Macron, një president-filozof”i Brice Couturier, ish-kryeredaktor i “Le Monde” e përshkroi kështu presidentin:“Lexues i Hegel, mik dhe ndihmës i filozofit Paul Ricœur, Emmanuel Macron krijoi shumë herët një ide të saktë mbi fatin e
tij. Tek ai asgjë nuk i lihet rastësisë. Çdo fjalë peshohet, çdo mendim është i bazuar diku”.
Por në këtë periudhë vetëm një fjalë, neologjizmi fatkeq dhe i errët “Islamo-majtizëm” (pra afërsia e pretenduar e intelektualëve dhe partive radikale të majta me qarqet fondamentaliste islamike), të kujton parullat e trishtueshme kundër judeo-bolshevizmit të viteve 1930, po përdoret në debatin politik francez si një mantra e re.
Që nga viti 2012, në Francë janë vrarë263 njerëz në 18 sulme terroriste islamike. Kjo seri e gjatë sulmesh,e ka dëmtuar vendin dhe ka vendosur në qendër të debatit publik kombëtar çështjet e lidhura me Islamin. Sulmet e ekstremit të djathtë mbi emigracionin -që kanë prekur kryesisht komunitetin mysliman dhe disa nga traditat e tij, nga mbulesa e fytyrës tek ushqimi hallall – janë fokusuar tek terrorizmi dhe marrëdhëniet midis terrorizmit dhe fesë. Dhe nga e djathta ekstreme, janë disa argumente që mbështeten edhe nga partia e presidentit Macron, La République en Marche.
Në një debat televiziv më 11 shkurt, Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin e akuzoi Marine Le Pen se ishte shumë “e butë ndaj Islamit”. Dhe pas vrasjes së profesor Samuel Paty Ministri i Edukimit Jean-Michel Blanquer tha se “brenda universitetit ka një farë bashkëpunimi intelektual me sulmet terroriste”.
Në atë moment, nisën edhe sulmet e qeverisë ndaj universiteteve franceze. Më 16 shkurt, Ministrja e Arsimit të Lartë, Frédérique Vidal, i tha kanalit të lajmeve CNews, se islamo-majtizmi “është një gangrenë për universitetin”. Dhe më pas shtoi:“Jo, ai është në fakt një gangrenë për të gjithë shoqërinë”.
Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS), iu kërkua që të hetojë praninë e mësuesve islamo-majtistë në universitete, pra profesorë që japin mësim çështjet e post-kolonializmit, ato gjinore dhe racore. Kjo kërkesë ngjalli pak indinjatë.
Sipas Alain Gresh, ish-bashkëdrejtues i Le Monde Diplomatique, brenda universiteteve po krijohet një lloj policie partiake:“Ne nuk kemi parë gjëra të tilla që nga pushtimi gjerman, gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Për shumë analistë, krijimi i këtij armiku të ri, përcaktimi i të cilit është i mjegullt edhe për ata që e kanë shpikur atë, është i kuptueshëm vetëm në kuadër të kalendarit politik dhe atij zgjedhor francez. Alain Genestar vëren në revistën mujore “Polka Magazine”, se kjo qasje është një oportunizëm i rrezikshëm:“Ka edhe 14 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Dhe strategjia e ekipit të Emmanuel Macron, bazohet e gjitha në sigurinë se në raundin e dytë do të ketë përballë sërish Marine Le Pen, ashtu si në vitin 2017. Pra, gjithçka është orkestruar me mençuri për të rrëmbyer votat e saj”.
Mosmarrëveshjet mbi rrënjët e terrorizmit islamik në Francë, si dhe mbi reagimet e mundshme që duhet të ketë,kanë reflektuar për dekada të tëra një ndarje të fortë të komunitetit shkencor francez, mbi kuptimin e fenomenit fetar dhe shfrytëzimin e tij nga skajet më të dhunshme të shoqërisë.
Këto ndarje u shfaqën shumë qartë në debatin e njohur në Francë midis studiuesve Gilles Kepel dhe Olivier Roy.Me rastin e diskutimit mbi ligjin e fundit kundër separatizmit fetar – i hartuar zyrtarisht për të zhdukur terrenin pjellor për terrorizmin islamik, përmes një kontrolli më të madh të shtetit mbi organizatat fetare dhe vendet e adhurimit – këto diskutime, interesante në kontekstin e një dialektike shkencore, hynë në debat publik, me teza të deformuara dhe ndonjëherë qesharake.
Në krye të kësaj fushate është Gilles Kepel, i gjithë-pranishëm në studiot televizive, që lufton kundër islamo-majtistëve- pra kundër kolegët e tij universitarë -që përshkruhen si armiq të republikës. Ironikisht, të njëjtët studiues të thirrur në studio për të studiuar fenomenin e radikalizmit, gjenden tani në bankën e të akuzuarve.
Studiuesit e shënjestruar nga qeveria Macron, akuzohen gjithashtu për trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me kulturën franceze, të huazuar me qëllim nga universitetet amerikane, për ta shkatërruar shoqërinë franceze. Në New York Times, Norimitsu Onishi pyet me ironi:“A do ta copëtojnë Francën idetë amerikane? Disa nga udhëheqësit e saj e besojnë këtë gjë. Ndikuesit politikë dhe intelektualët, argumentojnë se teoritë amerikane mbi rracën, gjininë dhe post-kolonializmin, përbëjnë një kërcënim për identitetin francez dhe republikën”.
Nga ana tjetër, kjo nuk është përplasja e parë midis Macron dhe shtypit amerikan, që e përbuz një lloj universalizmi francez, që po i ngjan gjithnjë e më shumë një veçantie krahinore.
CNRS ka pranuar ftesën e ministrit për të analizuar origjinën dhe përdorimin e neologjizmit islamik-majtist. Dhe rezultatet e analizës së qendrës kërkimore kanë shkaktuar diskutime. Falë Politoscope, një algoritëm i zhvilluar nga CNRS për studimin e aktivizmit politik në internet, janë analizuar mbi 290 milion mesazhe politike të postuara që nga viti 2016 nga më shumë se 11 milion llogari në Twitter.
Dhe në fund është qeveria ajo që e gjen veten në bankën e të akuzuarve:studimi CNRS e akuzon atë se i jep hapësirë çështjeve të së djathtës ekstreme më agresive. Rezultati i parë i hulumtimit, tregon se organizata kryesore politike e akuzuar për islamo-majtizëm është Partia Radikale e Jean-Luc Mélenchon.
Në vendin e dytë është kreu i Partisë Socialiste, Benoît Hamon. Rezultati i dytë i Politoskopit:llogaritë më të përfshira në përhapjen e akuzave mbi islamo-majtizimin, nga viti 2016 deri më sot, janë ideologjikisht të djathta.
Pika e tretë:konceptet më të shoqëruara me islamo-majtizmin janë ato të “tradhtarit, armikut të republikës, imoralitetit, turpit, korrupsionit, kërcënimit, pasigurisë, rrezikut, aleancës me armikun dhe, natyrisht, kompromisit me Islamin radikal”.
Mbetet për t’u parë nëse do të jetë e suksesshme strategjia e përvetësimit për qëllime elektorale e kauzave të ekstremin e djathtë nga qeveria Macron. Ligji kundër separatizmit – që synonte haptazi të godiste botën myslimane -ka ngjallur reagimin e fortë të shoqatave katolike, protestante dhe hebraike, të cilat e konsiderojnë atë një sulm serioz ndaj lirisë fetare. Sulmi ndaj universiteteve po kthehet tani në një bumerang ndaj ekzekutivit. Sot është e vështirë të thuash nëse francezët do të vendosin të votojnë përsëri Macron për të bllokuar ngritjen e ekstremit të djathtë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

