Andrew Cuomo akuzohet për herë të dytë për ngacmime seksuale

schedule08:22 - 1 Mars, 2021

schedule 08:22 - 1 Mars, 2021

Guvernatori i New York, Andrew Cuomo është akuzuar për herë të dytë për ngacmime seksuale, nga ish-vartëse e tij. 25 vjeçarja Charlotte Bennett ka rrëfyer për New York Times që pranverën e kaluar politikani 63 vjeçar i kishte thënë se ai ishte i hapur për frekuentimin e grave në moshën e të 20-ave, dhe gjithashtu i  kishte kërkuar mendimin ish-vartëses së tij, se sa ndikonte diferenca e madhe në moshë në një marrëdhënie.

Bennett shtoi se qëllimi i guevrnatorit ishte pasja e një marrëdhënieje seksuale, dhe se ndaj këtij qëllimi ajo është ndjerë keq dhe e trembur. Megjithatë, ajo specifikoi gjithashtu se Cuomo nuk provoi kurrë ta prekte.

Nga ana e tij, Guvernatori 63 vjeçar, i është përgjigjur të përditshmes amerikane me një mohim kategorik të akuzës. Nga ana tjetër, një tjetër ish-ndihmëse e Cuomos, Lindsey Boylan, e ka akuzuar së fundmi Guvernatorin për kërkesën që ai i ka bërë për ta puthur, dhe për komente të papërshtatshme ndaj ish sekretares për zhvillim ekonomik. Edhe për këtë rast, Cuomo i ka mohuar me stoicizëm akuzat.

Madje, Guvernatori ka shtuar me indinjatë se ka autorizuar një rishqyrtim ligjor të akuzave që I janë bërë. Këshilltari special i Cuomos, Beth Garvey, ka specifikuar se rishqyrtimi do të kryhej nga Barabara Jones, ish Gjyqtare Federale.

Në lidhje me çështjen, Cuomo i ka kërkuar të gjithë qytetarëve të New Yorkut që të presin përfundimet e hetimeve ligjore, në mënyrë që të njihen me faktet, përpara se të nxjerrin gjykime të nxituara.

Mandati i Andrew Cuomos si Guvernator përfundon në fund të vitit 2022. Por, situata e kohëve të fundit në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e tij ka shkaktuar mjaft pakënaqësi te qytetarët e New York-ut./abcnews.al