40% e parave në Shqipëri qarkullojnë jashtë bankave, Malaj: Favorizon evazionin dhe pastrimin e parave

schedule17:20 - 27 Shkurt, 2021

schedule 17:20 - 27 Shkurt, 2021

Nga Erblina Mile 

Shqipëria vazhdon të ketë një rritje të ndjeshme të nivelit të parave që qarkullojnë  jashtë bankave.

Në fund të vitit 2020 niveli i parave që përdoren CASH arriti në 344 miliardë lekë ose 2.8 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i arritur në një dekadë. Ish-ministri i Financave Arben Malaj shprehet se paraja jashtë bankave ka arritur në 40 % të totalit.

“Me uljen e riskut politik, me përdorimin me efikasitet të luftës kundër pastrimit të parasë, të krijohet një perceptim më pozitiv tek pjesa që është rritur. Pra, ka qenë brenda bankës dhe ka dalë nga 28 për qind në 2013, në 40 për qind thonë disa burime zyrtare në 2020.”

Arsyet e rritjes së parave që qarkullojnë jashtë sistemit bankar lidhen direkt me pandeminë por edhe me kulturën e dobët të qytetarëve për të realizuar blerje me anë të bankave.

“Nuk duhet të harrojmë faktin që merren në kushtet e pandemisë, dhe krizave që kemi kaluar. Dhe, ndoshta një pjesë e individëve kanë atë frikën e parave që u duhen për ditët e vështira.”

Paratë  që përdoren CASH ndikojnë direkt në rritjen e ekonomisë informale  duke bërë që politikat ekonomike të institucioneve të  mos japin efekte.

“Informaliteti e rrit paranë jashtë bankës, pasi përgjithësisht janë para për të cilat nuk paguhen detyrime tatimore.”

Sfidë për vendin tonë mbetet zgjerimi i i numrit të individëve dhe kompanive që të përdorin paratë brenda sistemit bankar. Shqiptarët mbeten  vendi me numrin më të ulët të përdorimit të kartave  në rajon .Për 1,000 persona në moshë të madhore Shqipëria ka 483 karta të emetuara, ndërkohë që rajoni luhatet nga 2,449 për Kroacinë në 759 për Bosnjë Hercegovinën. /abcnews.al/

QARKULLIMI I PARAVE CASH

DHJETOR 2009       209  MLD LEKË

DHJETOR 2020       344 MLD LEKË