Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Covid & kriza e klimës tregojnë pse na nevojitet një “kontratë e re shoqërore” mes të moshuarve dhe të rinjve

schedule09:51 - 27 Shkurt, 2021

schedule 09:51 - 27 Shkurt, 2021

Nga Minouche Shafik, The Guardian

Covid-19 vazhdon të nxjerrë në pah tensionet midis brezave. Njerëzit e moshuar mbajnë barrën e sëmundjes ndërsa të rinjtë duhet të bëjnë sakrifica ekonomike dhe sociale për t’i mbrojtur ata.

Por pandemia është vetëm një arsye pse kontrata shoqërore midis brezave është nën presion.

Kontrata shoqërore midis brezave është e lehtë për tu kuptuar. Prindërit duan t’u japin fëmijëve të tyre mundësinë dhe mjetet për të pasur një jetë të mirë; fëmijët duan që prindërit e tyre të kenë një pleqëri të rehatshme.

Por në një nivel shoqëror, kontrata shoqërore midis brezave është më komplekse.

Ne u detyrohemi një pjesë të madhe brezave të mëparshëm dhe shumica do të ishin dakord që gjithashtu u detyrohemi diçka brezave të ardhshëm që nuk do t’i takojmë kurrë, dhe që secila gjeneratë duhet të bëjë më shumë për  brezin e ardhshëm.

Në shumë ekonomi të zhvilluara, ata që kanë lindur midis fundit të luftës së dytë botërore dhe fillimit të viteve 1960 panë një dekadë  të rritjes së qëndrueshme ekonomike, punë të sigurta me përfitime dhe fitime të mëdha, kushtet shëndetësore dhe shoqërore shumë të mira.

Brezat që pasuan janë përballur me një botë pune më fleksibile dhe të pasigurt, me rritjen e çmimeve të  shtëpive dhe një periudhë të kursimit fiskal pas krizës financiare të vitit 2008 që uli shpenzimet sociale në shumë vende.

Shumë prej tyre kanë borxhe të mëdha nga huatë studentore dhe kartat e kreditit, të cilat kufizojnë aftësinë e tyre për të përballuar një hipotekë për të blerë një shtëpi, ose për të krijuar një familje. Fitimet e të ardhurave dhe perspektiva e sigurisë në pleqërinë  e brezave të  kaluar ka ngecur dhe, në disa vende, është përmbysur.

Rreziqet  si pasojë e varfërisë  po kalojnë nga të moshuarit tek të rinjtë. Sot, shumica e ekonomive të përparuara besojnë se brezi i ardhshëm do të jetë më i keq se ata që kanë kaluar prindërit e tyre.

Ndërkohë, i ashtuquajturi Gjenerata Z (të lindurit pas vitit 2000) janë në krye të protestës së të rinjve për krizën e klimës.

“Ju do të vdisni nga pleqëria; ne do të vdesim nga ndryshimi i klimës, ”lexohet në pankartën e një protestuesi në grevën për krizën e klimës në Londër në shtator 2019.

Këta të rinj nuk janë të bindur se brezat e vjetër po bëjnë aq sa duhet për t’i lënë atyre një planet të banueshëm ose jetesë të mirë.

Atëherë, si mund ta ri-balancojmë kontratën shoqërore midis brezave?

Mënyra më e mirë për të përmirësuar perspektivat ekonomike të brezave të ardhshëm është përmes arsimit. Një investim masiv në arsim është mënyra më efektive për t’i dhënë mundësinë e barabartë të gjithë të rinjve.

Në mënyrë ideale, secili do të kishte mundësinë e arsimit  duke i mundësuar atyre që të zhvillojnë aftësi të mira gjatë gjithë jetës së tyre. Nevojiten më shumë investime për t’u dhënë mundësi njerëzve të përshtaten pasi punët ndryshojnë me kalimin e kohës.

Fitimet ekonomike do të ndihmonin gjithashtu në krijimin e mundësive për të paguar nevojat për kujdesin e të moshuarve. Për të zvogëluar barrën fiskale mbi brezat e ardhshëm, të moshuarit e sotëm do të duhet të punojnë më gjatë.

Problemi themelor është se vitet në pension krahasuar me vitet në punë janë rritur shumë. Deri në vitin 2060, të gjitha vendet e G20 do të shohin plakje të popullsisë dhe numri i njerëzve mbi 65 do të jetë dyfishuar.

Për të shmangur një barrë të panevojshme për të rinjtë e sotëm, ne duhet të gjejmë një qasje  për moshën e pensionit lidhur me jetëgjatësinë, në mënyrë që raporti i kohës së punës dhe kohës në pension të jetë në  ekuilibër.

Ne gjithashtu duhet të bëjmë sa më shumë që të mundemi për të përmirësuar ato  dëme që i kemi shkaktuar mjedisit. Një fillim i mirë do të ishte eliminimi i 4-6 trilionë dollarëve, subvencione vjetore të qeverisë në bujqësi, ujë, peshkim dhe lëndë djegëse fosile që përdoren për shfrytëzimin e mjedisit.

Ka nevojë për më shumë investime në ruajtjen dhe restaurimin e biosferës, siç është mbjellja e pemëve. Shpenzimet aktuale publike dhe private për ruajtjen e mjedisit janë rreth 91 miliardë dollarë, më pak se 2% e asaj që shpenzohet në subvencione për të dëmtuar mjedisin.

Hapi tjetër është të vlerësojmë gjërat siç duhet: aty ku çmimet e tregut nuk përcjellin vlerën e vërtetë të shërbimeve, ne duhet të gjejmë mënyra të tjera për t’i faktorizuar ato në llogaritjet dhe vendimet tona.

Më në fund, qeveritë duhet të përdorin politikën fiskale për të ndryshuar stimujt, të tilla si taksimi i karbonit ose stimulimi i teknologjive të gjelbra. Gjetja e kohezionit midis brezave është e komplikuar nga fakti që të moshuarit kanë tendencë të jenë më efektivë në politikë sesa të rinjtë. Hulumtimet kanë treguar se përqindja e njerëzve të moshuar në popullatë ka një ndikim të rëndësishëm në modelin e shpenzimeve publike.

E thënë më  thjesht, më shumë njerëz të moshuar do të thotë më shumë shpenzime për pensione dhe më pak për arsim.

Duke dalë në pension, ata në përgjithësi shqetësohen më pak për papunësinë, krahasuar me një qytetar mesatar. Partitë politike në shoqëritë me popullsi më të moshuar janë gjithnjë e më të detyruar t’i plotësojnë këto kërkesa.

Në një mënyrë apo në një tjetër, ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i dhënë më shumë peshë zërave dhe interesave të brezave të rinj dhe të ardhshëm. Përndryshe kontrata shoqërore që formon të ardhmen do të projektohet ekskluzivisht nga ata që nuk do të jetojnë për ta parë atë.

Më shumë investime në arsim, gjetja e mënyrave për të menaxhuar kostot e pensioneve, shëndetit dhe kujdesit shoqëror dhe korrigjimi i dëmit mjedisor do të ndihmonin investimet nga një brez në tjetrin: kjo do të  ishte diçka e mirë për të gjithë ne dhe do të siguronte një kontratë të re shoqërore./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!