Dortmund njoftoi disa ditë më parë që Marco Rose do të jetë trajneri i ri i skuadrës. Ky i fundit po drejton me sukses M’Gladbach prej verës së vitit 2019, teksa në fund të këtij sezoni do të transferohet në stolin e verdhezinjve.
Kritikat ndaj 44-vjeçarit nuk kanë munguar nga tifozët e M’Gladbach, të cilët kanë reaguar me një pankartë kundër tij dhe vetë klubit. Në mbrojtje të Rose del një koleg i tij, Julian Nagelsmann. Trajneri i Leipzig e cilëson normale një lëvizje të tillë.
“Këto transferime janë pjesë e biznesit të futbollit. Mendoj se nuk është e drejtë të akuzohet Rose. Kritikat ndaj tij janë të pakuptueshme dhe të panevojshme“, deklaron trajneri i talentuar gjerman.
Kujtojmë që një situatë të ngjashme përjetoi edhe vetë Nagelsmann kohë më parë. 33-vjeçari ishte pjesë e Hoffenheim dhe bëri zyrtare transferimin në pankinën e Leipzig një vit përpara se të transferohej tek ekipi i ri. /abcnews.al