HEC-et në funksion të turizmit, muze në Koman

schedule20:22 - 24 Shkurt, 2021

schedule 20:22 - 24 Shkurt, 2021

Korporata elektro energjitike shqiptare  po investon në HECET e Vaut të Dejës dhe Komanit për t’i kthyer në atraksione turistike. Me zhvillimin e kaskadës së lumit Drin, kesh synon ta shndërrojë zonën në një destinacion tërheqës turistik duke lidhur me qytetin e Shkodrës dhe alpet shqiptare. Në projektin e KESH  është parashikuar edhe krijimi i muzeut energjitik kombëtar në Koman.

Përveç prodhimit të energjisë hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe Komanit do t’i shërbejnë edhe turizmit. Korporata elektro-energjitike shqiptare ka nisur investimet rreth dy liqeneve me qëllim nxitjen e zhvillimit të sektorit të turizmit. Me zhvillimin e kaskadës së Lumit Drin, KESH synon ta shndërrojë zonën në një destinacion tërheqës turistik duke lidhur me qytetin e Shkodrës dhe Alpet Shqiptare. Dy  polet turistike do të lidhen me një sistem transporti ujor përgjatë rezervuarit të Vaut të Dejës.

Kështu në afërsi të HECI-it Vau i Dejës do të ngrihet një mol pranë digës së Qyrsaqit me një sipërfaqe prej 1.290 metër katror si dhe një vendparkim për 100 automjete. Përveç këtyre ndërhyrjeve në fshatin Koman do të ndërtohen edhe infrastruktura rrugore, sheshi, shëtitorja dhe një park i gjelbëruar në breg të lumit për ta bërë më të vizitueshëm.

Sipas KESH investimi për këtë projekt do të jetë publik e privat dhe do të ketë disa faza.

Është parashikuar gjithashtu edhe krijimi i muzeut kombëtar të energjisë në zonën e Hec-it të Komanit në nder të të gjithë atyre punonjësve që kanë punuar për ndërtimin dhe shfrytëzimin e këtyre veprave që furnizojnë me energji të gjithë vendin. /abcnews.al