Gjergj Cukali i arrestuar mbrëmjen e sotme nga policia e Shtetit në lidhje me atentatin me eksploziv të ndodhur rreth dy javë më parë në Kamëz ku mbeti i plagosur objektivi Gjon Mema, nuk është një person i panjohur për policinë. Ai është i njohur si i “forti” i Myslym Shyrit dhe ka miqësi me persona të njohur të botës si krimit, mes tyre edhe Emiljano Shullazi.
Akuzat që rëndojnë mbi të janë të shumta, duke filluar nga pengmarrje, armëmbajtjet pa leje dhe shpërndarje droge. Për herë të fundit ai u arrestua në 12 Prill 2018, pasi kishte shkelur masën e sigurisë, “arrest shtëpie”.
Ndërsa në Korrik të vitit 2016 ai u arrestua së bashku me 16 persona të tjerë si pjesë e një rrjeti kriminal që shpërndante kokainë në Tiranë. Ky grup drejtohej pikërisht nga Cukali, dhe sipas policisë, fitimet e tyre shkonin në 50 mijë Euro në muaj.
Më 24 Nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 10 vite burg Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004 në rrugën “Myslym Shyri” pas një konflikti për 100 mijë Euro. Cukali përfitoi amnisti dhe doli pas disa vitesh.
Më 20 Gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë Gjergji Cukali u arrestua, pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.
Identiteti tjetër
Gjergji Cukali kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Në atë kohë mbante identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Sëmundja që e dërgoi nga burgu në shtëpi
Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arrin që të dalë. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta. “Për këtë arsye,- thotë Gjykata e Lartë, -Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë.
Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”. Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie”, si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.
Arrestimi i tij në vitin 2018
Gjergj Cukali nuk qëndroi dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë. 40-vjeçari “i dënuar me masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, është kapur në flagrancë larg banesës së tij pasi kishte shkelur vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, njoftonte atë kohë policia e Tiranës.
Arrestimi në 31 maj 2019
Mëngjesin e 31 majit 2019 Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar Gjergj Cukalin, të akuzuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim. Hetuesit pretendonin se kishin prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e tij në vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar 2019.
Cukali u lirua disa muaj më vonë pasi gjykata e Apelit dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
/mv.abcnews.al