ABC brenda Sanatoriumit, dëshmitë tronditëse të pacientëve: Të rinjtë që po luftojnë me COVID-19

schedule16:16 - 24 Shkurt, 2021

schedule 16:16 - 24 Shkurt, 2021

Janë më shumë se 30 raste në ditë që paraqiten në spital, në gjendje të rënduar si pasojë e COVID 19. Gazetarja e ABC, Ema Shazivari ishte në Sanatorium dhe ju tregon nga afër se çfarë bëhet, brenda mureve të spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Fillimisht, drejtori i Sanatoriumit, profesor Perlat Kapisyzi, shpjegon se si bëhet ndarja e urgjencave, në bazë të kodeve mjekësore.

“Kodi blu, ndihma jepet menjëherë, në kodin e kuq jepet për 15 minuta, ndihma nga mjeku e kështu me radhë. Të shtruar aktualisht janë 220. Këtu janë të sëmurë shumë të rëndë.

Mos e neglizhoni Covid-in. Trajtohuni që në fillim. E rëndësishme është që kurrë pacientët nuk duhet të këmbëngulin të rrinë në shtëpi”, thotë ai.

Lëmë urgjencën për të shkuar drejtë pavioneve, aty ku lufta është më e madhe, dhe pacientët më të rënduar.

“Jam 40 vjeç. Po bëj katër ditë. Tani jam më mirë”, thotë një pacient.

Mes të shtruarve ka shumë të rinj në moshë. Profesor Perlati, thotë me bindje se ata janë të infektuar nga variant britanik i cili është më agresiv.

“Edhe vendi ynë nuk bën përjashtim nga të gjitha vendet e tjera. Është rritur numri i pacientëve me moshë të re. Në këtë periudhë tek moshat e reja po shikohet gravitet shhumë i madh i Covid. Më përpara moshat e reja e kalonin më lehtë. Tashmë në vendin tonë duhet të ketë hyrë virusi anglez. Po vërtetohet që ky variant ka edhe agresivitet më të madh”, shpjegon ai.

“Kam 12 ditë i shtruar dhe tani jam shumë mirë”, thotë një pacient i shtruar.

Në këto korridore dëgjohet vetëm zhurma e monitorëve. Shumë prej të shtruarve këtu janë të rinj në moshë. Për t’u ardhur në ndihmë pacientëve ky spital ka shtuar së fundmi shtretërit. Nga 193 shtretër që ishte kapaciteti fillestar, tashmë janë më shumë se 220.

Së fundmi, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, lejohet edhe futja e familjarëve në dhoma. Kjo për ti lehtësuar sadopak pasojat e virusit pacientëve të shtruar aty. /abcnews.al