Në kuadër të situatës së krijuar nga koronavirusi në vendin tonë dhe në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit një grup mjekësh u kanë bërë thirrje zyrtarëve politik që të merren masat e duhura mbrojtëse.
Përmes një letre drejtuar presidentit Meta, KQZ-së, kryeministrit, kryetarit të bashkisë dhe liderëve të tjerë të partive mjekët kërkojnë që të zbatohen me përpikmëri të gjithë masat anti Covid për të shmangur çdo problematike në lidhje me shëndetin e qytetarëve.
Ndër të tjera ato theksojnë se përmes kësaj letre të hapur kërkojnë nga secili që me kompetencat përkatëse, të kontribuojë në respektimin dhe zbatimin e masave ndaj Covid-19 në Shqipëri.
“Me rastin e afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, ku mijëra qytetarë po angazhohen në fushatën parazgjedhore e më pas përmes vullnetit të votës së tyre, do të kenë mundësi të zgjedhin ekipin e ri qeverisës, ne, personeli mjekësor, shohim me shqetësim respektimin dhe mbarëvajtjen e masave antiCovid, të cilat janë përcaktuar me ligj, pikërisht me votë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Duke qenë se shifrat e infektimeve të reja dhe akoma më tepër të vdekjeve, janë në një trend rritës shqetësues, donim t‘ju drejtoheshim nëpërmjet kësaj letre të hapur, ku secili nga Ju, me kompetencat përkatëse, të kontribuojë në respektimin dhe zbatimin e masave ndaj Covid-19 në Shqipëri”, thuhet në letrën e tyre./abcnews.al