Boris Johnson ka premtuar se të gjithë të rriturit në Mbretërinë e Bashkuar do ta marrin dozën e parë të vaksinës kundër Covid brenda fundit të muajit Korrik.
Aktualisht më shumë se 17 milionë persona e kanë marrë vaksinën në Britaninë e Madhe që kur nisi përdorimi i saj në dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, Johnson ka theksuar dëshirën e tij që programi i vaksinimit të ketë një ritëm edhe më të shpejtë. Ai specifikoi se objektivi i korrikut do të mundësonte që personat më të prekur të mbroheshin më shpejt dhe do të çonte edhe në zbutjen e rregullave të izolimit në vend.
Drejtuesit e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit thanë se janë shfaqur shenja të qarta që vaksinimi po kontribuon në rënien e shtrimeve në spitale.
Kryeministri do të zhvillojë bisedime të tjera me anëtarët e kabinetit para se të shpalosë planin e plotë ditën hënë. Imunizimi i shpejtë i personave që konsiderohen më të rrezikuar konsiderohet thelbësor për reduktimin e bilancit të viktimave nga koronavirusi, si edhe për zbutjen e presionit mbi shërbimin kombëtar shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar.
Objektivi i mëparshëm i qeverisë Britanike ishte që të gjithë të rriturit të merrnin dozën e parë të vaksinës deri në shtator.
Por plani i ri i kabinetit Johnson, parashikon që deri me datë 15 Prill, do të vaksinohen me dozën e parë të gjithë të rriturit mbi moshën 50 vjeç, si edhe të rinjtë me probleme shëndetësore, më të rrezikuar ndaj infektimit me covid. /abcnews.al