Nga Andreas V Georgiou, Brussels Times
Bashkimi Evropian dëshiron paqe, siguri, liri, një zhvillim të qëndrueshëm, solidaritet, drejtësi sociale dhe respektimin të drejtave të njeriut për qytetarët e vendeve anëtare. Ai synon gjithashtu të nxisë në nivel ndërkombëtar stabilitetin, sigurinë, prosperitetin, demokracinë, tregtinë e lirë, liritë themelore dhe sundimin e ligjit.
Por që unioni të përmbushë qëllimet e tij dhe të jetë besnik ndaj vlerave të veta, ai duhet të jetë i fortë. Ndaj, BE-së i duhet një politikë e përbashkët e mbrojtjes dhe sigurisë. Por aktualisht unionit i mungon një mbrojtje e tillë.
Politikat e fragmentuara dhe të paqarta të shteteve kombëtare në këtë fushë sjellin vetëm dobësi, gjë që sigurisht nuk është e favorshme për arritjen e qëllimeve nga BE. Ç’është më e keqja, ky fragmentizim do të krijojë forca që do ta shpërbëjnë Bashkimin Evropian.
Në gjendjen e saj aktuale të fragmentimit në lidhje me mbrojtjen, BE u prezanton të tjerëve një ndjenjë të rreme të fuqisë, dhe kjo nuk u shpëton kundërshtarëve të saj.
1.500 avionët luftarakë apo 7.000 që zotërojnë në total vendet e BE-së nuk do të arrinin të vendoseshin në terren për t’u përballur në mënyrë efektive me një kërcënim ndaj kufirit të unionit, le të themi nga Rusia.
Aktualisht, fuqia ushtarake e BE-së është de fakto vetëm fuqia e një vendi anëtar të caktuar, që përballet me një sfidë në kufijtë e tij kombëtar. Për shembull, forca ushtarake e Bashkimit Evropian është vetëm forca që ka Greqia për të mbrojtur veten kur Turqia shkel hapësirën e saj ajrore apo ujërat territoriale.
Dikush mund të argumentojë se forca ushtarake e unionit, është forca ushtarake e shtetit të tij më të fortë, Francës. Kjo mund të vlejë nëse interesi “kombëtar”i Francës përputhet saktësisht me atë të shtetit anëtar apo BE-së, që mund të përballet me një agresion dhe kërkon ndihmën e Francës.
Por një rreshtim i tillë nuk do të ndodhte në çdo rast. Kundërshtarët rajonalë nuk e krahasojnë veten e tyre me fuqinë e përgjithshme të BE-së, që ata e shohin si “një tryezë bankierësh dhe tregtarësh me zemër të dobët, dhe që u shërbejnë vetëm interesave vetjake”, por me fuqinë e viktimës së tyre të radhës brenda “tufës” së unionit.
Dhe shifrat sipas globalfirepower.com flasin vetë. Greqia, që jeton me një kërcënim akut nga Turqia prej shumë kohësh, është e detyruar të ketë një ushtri të madhe prej 200.000 efektivësh, të armatosur me 187 avionë luftarakë, 116 luftanije dhe 1344 tanke, një barrë kjo shumë e kushtueshme për një vend kaq të vogël.
Ndërkohë, shumica e vendeve evropiane kanë ushtri akoma më të vogla në krahasim me madhësinë territoriale apo atë të popullsisë. Gjermania, Italia apo Spanja kanë në thelb ushtri të krahasueshme me atë greke. Franca, fuqia më e madhe ushtarake e BE-së, ka një ushtri prej 270.000 njerëzish, të armatosur me 269 avionë luftarakë, 180 luftanije dhe 406 tanke.
Nga ana tjetër, Turqia ka një ushtri me një personel aktiv 355.000 njerëz, të armatosur me 206 avionë luftarakë, 149 luftanije dhe 3.045 tanke. Është e qartë se në një konfrontim në Evropën Juglindore dhe Mesdheun Lindor, Turqia do të mposhte shumë shpejt secilin nga këto vende.
Ndonjë analist mund të tërheqë vëmendjen për ekzistencën e “grupeve të betejës në BE” si një lloj ushtrie e BE-së nën politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes (CSDP). Supozohet të jenë 18 njësi me përmasat e një batalioni, secila me nga 1.500 trupa.
Por në total bëhen vetëm 27.000 trupa. Dhe akoma më keq, vetëm 2 grupe të tilla beteje supozohet të vendosen lehtësisht në front brenda 5-10 ditësh. Pra maksimumi 3.000 trupa.
Është e rëndësishme të theksohet se NATO nuk është një zgjidhje, mbi të cilën mund të mbështetet BE për konfliktet rajonale apo konvencionale (jo-bërthamore) me kundërshtarët rajonalë që kanë ambicie hegjemonike.
Një nga kundërshtaret kryesore të ngritjes së një ushtrie të BE-së nëtë kaluarën ka qenë Britania e Madhe. Prandaj, me daljen e saj nga unioni, është krijuar natyrshëm një shans për të ecur me shpejtësi për ndërtimin dhe mbrojtjen e vërtetë të unioni.
Kjo çështje është edhe më e emergjente në kontekstin e rreziqeve, kërcënimeve dhe sfidave të prekshme të paraqitura direkt ndaj BE-së, nga vende si Rusia dhe Turqia, si dhe indirekt, në kontekstin e konflikteve ushtarake dhe civile dhe sfidave të terrorizmit në zonat pranë BE-së si në Siri, Libi, Ukrainë, Kaukaz dhe gjetkë.
Edhe paqëndrueshmëria gjatë viteve të fundit e angazhimit amerikan ndaj Evropës, flet për rrezikun e tërheqjes të mbështetjes së duhur të Uashingtonit në të ardhmen, problem që do të duhet të adresohet në një mënyrë pro-aktive përmes sigurimit mbrojtjes së duhur nga vetë BE.
Pa ushtrinë e tij, Brukseli nuk do të merret seriozisht dhe do të poshtërohet diplomatikisht dhe ushtarakisht nga Rusia dhe Turqia. Mbrojtja e unionit është mënyra e vetme për të pasur një marrëdhënie paqësore, të respektueshme dhe të dobishme për të dyja palët për një periudhë afatgjatë me vendet në rajon.
Është më se e qartë që vetëmbrojtja e unionit, do t’i shtonte BE-së peshën e nevojshme për një politikë të jashtme efektive. Ajo do të rriste stabilitetin në rajonet përreth BE-së, si në Afrikë, Lindje e Mesme dhe Evropën Lindore, por edhe më larg në Azi.
Një stabilitet i tillë është thelbësor për zhvillimin ekonomik në këto rajone si dhe në BE, për kontrollin e lëvizjeve të popullsisë jashtë këtyre rajoneve drejt Bashkimin Evropian, për stabilitetin shoqëror brenda BE-së, përfshirë shmangien e politikës autoritare, ksenofobike, nacionaliste në pjesë të tij, dhe ç’është me rëndësishmja, për përparimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në të gjithë botën.
Tek e fundit, shumica e evropianëve e dëshirojnë një politikë të përbashkët evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe sipas një raporti të vitit 2017 të Eurobarometerit, janë në favor të krijimit të një ushtrie evropiane. Ajo do të ishte e mirëpritur edhe nga SHBA-ja, pasi një aleat i fortë është partneri më i mirë në sigurimin e një kundërpeshe ndaj sfidave globale që vijnë nga Rusia dhe Kina.
*Marrë me shkurtime

