Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Fuqia e diplomacisë së vaksinave

schedule10:04 - 19 Shkurt, 2021

schedule 10:04 - 19 Shkurt, 2021

Nga Cindy Yu, The Specator

Në fund të janarit, presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, mbajti një fjalim në pistën e aeroportit të Santiagos. “Sot është një ditë gëzimi, emocionesh dhe shprese”- tha ai, duke qëndruar përpara një avioni Boeing 787 që sapo kishte mbërritur nga Pekini.

Brenda tij ndodheshin 2 milion doza vaksinash të prodhuara nga kompania kineze Sinovac. Ishte e para nga 2 dërgesat e një madhësie të ngjashme që mbërritën muajin e kaluar. Disa ditë më parë, presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, kishte dalë nga izolimi për shkak se ishte prekur nga Covid-19 për të falënderuar presidentin rus Vladimir Putin “vërtet dashamirës”,për dërgimin e 24 milion dozave të vaksinës Sputnik gjatë muajve të ardhshëm.

Shpresat e vaksinimit të vendit të tij me vaksinën Pfizer ishin zbehur kur sasia në dispozicion u mor nga të tjerët. Pfizer fajësoi për situatën “mungesat globale”. Por kjo ishte mundësia e përsosur kur Putin mund të bënte heroin duke i dërguar botës një mesazh:në kohë nevoje, është Moska, dhe jo Uashingtoni, ai që ju vjen realisht në ndihmë.

Kjo është diplomacia e vaksinave, loja e re e madhe. Vendet që janë të etura të konkurrojnë me Perëndimin – dhe sidomos me Amerikën – po i përdorin vaksinat e tyre kundër koronavirusit si një mënyrë për të fituar ndikim. Ata po i shkëmbejnë vaksinat e tyre në këmbim të besnikërisë dhe lavdërimit publik.

Dhe nuk është se këto vaksina kanë një sukses botëror. Sinovac ka pasur vlerësimet më të ulëta të efikasitetit nga çdo vaksinë tjetër e licencuar ( 50.4 për qind vetëm në një fazë provash) dhe deri në fillim të këtij muaji nuk ishte i licencuar as për përdorim të përgjithshëm në Kinë.

Ajo nuk është aprovuar ende për t’u përdorur tek njerëzit mbi 60-vjeç, dhe kjo është ndoshta një nga arsyet pse kinezët nuk e kanë problem që po eksportojnë jashtë shtetit qindra miliona doza. Në mediat sociale, përdoruesit bëjnë shaka shpesh me batuta të tilla si:“Të tjerët le të marrin vaksinat superiore kineze. Unë do të pres për vaksinën Pfizer”.

Prodhuesi tjetër i vaksinave kineze, Sinopharm, pretendon efikasitet në masën 79 për qind. Por nëse shpresojnë që të fillojnë vaksinimin brenda këtij viti,vendet në zhvillim nuk kanë luksin që të zgjedhin se nga i marrin vaksinat.

Ka një kthesë e pabesueshme të ngjarjeve. Askush nuk e ka harruar se nga erdhi ky virus. E megjithatë një vit më vonë, Kina po përpiqet ta paraqesë veten si shpëtimtarja e botës nga pandemia. Disa në Perëndim mund të qeshim me këtë gjë.

Por vendet e varfra që përndryshe mund t’u duhet të presin për muaj të tërë, në mos me vite për të marrë vaksinat, nuk kanë shumë alternativa. Kina ka muaj që po përgatitet për këtë shpërndarje globale  të vaksinave të saj. Që verën e vitit të kaluar, presidenti Xi i telefonoi Mbretit Mohamed VI të Marokut dhe udhëheqësve të tjerë botërorë, duke premtuar se vaksinat kineze në zhvillim e sipër do të ishin një “e mirë publike globale”.

Kur bota u kthye kundër Kinës,teksa u zbulua shkalla e plotë e pandemisë, Pekini nxitoi që të shmangte mënjanimin nga skena globale. Faza e parë e këtij procesi ishin dërgesat me pajisjet mjekësore mbrojtëse, për të cilat presidenti serb u tregua aq mirënjohës saqë puthi flamurin kinez.

Tani,gjithçka ka të bëjë me vaksinat. Në fillim të këtij viti,Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ndërmori një tur vizitash në 9 vende në Afrikë dhe Azinë Juglindore, duke ofruar vaksina por edhe investime për aleatët e ardhshëm. Disa nga klientët e Kinës janë të parashikueshëm. Bëhet fjalë për aleatë politikë si Pakistani (që do të marrë 22 milion doza) apo partnerë tregtarë në lulëzim si Turqia (50 milion doza).

Rusët nuk mbeten pas në këtë lojë të madhe që po luhet. Nën emrin patriotik Sputnik V, Putini ka në dizpozicion një vaksinë më të mirë, që ashtu siç e tregojnë sondazhet është më e besueshme ndërkombëtarisht. Një studim i botuar në “The Lancet” zbuloi se ajo është 91 për qind efikase, ose po aq e mirë sa Pzifer me një efikasitet 95 për qind.

Moska pretendon se deri tani 50 vende të botës kanë porositur rreth 1.2 miliardë doza (ky është thuajse me siguri një ekzagjerim).  Edhe BE e dëshpëruar nga procesi i ngadaltë i vaksinimit – vetëm 5 për qind në krahasim me 24 për qind në Britani- duket e gatshme të anashkalojë shtypjen që Putini i ka bërë së fundmi opozitës, në këmbim vaksinës Sputnik.

Vaksina ruse nuk ka marrë ende miratimin zyrtar nga Agjencia Evropiane e Barnave, por kryeministri hungarez Victor Orban ka porositur tashmë 2 milion doza. Edhe Merkel është gjithashtu e interesuar për Sputnik, dhe është shprehur e gatshme që ta ndihmojë Putin të ndërtojë një njësi prodhimi brenda Gjermanisë.

Por pavarësisht pozitës më të mirë të Putinit në këtë garë, Perëndimi duhet të shqetësohet më shumë nga Kina. Thuhet shpesh se ndikimi në rritje i Pekinit në botë, vjen deri tek fuqia e fortë:tregimi i i muskujve ekonomikë dhe kërcënim ushtarak.

Diplomacia e vaksinave, mund të provojë të jetë fuqia e butë, të cilën Pekini e ka kërkuar prej kaq shumë kohësh. Kina shpreson tani që vendet e tjera ta përhapin mesazhin e Xi. Dhe në Beograd, Vuçiç e bëri këtë gjënë mënyrën më të përsosur. “Bota është përplasur me një ajsberg. Ashtu si Titaniku, më të pasurit po shpëtojnë vetëm veten dhe të dashurit e tyre”- tha ai.

Tani për tani, dashamirësia e Perëndimit është e kufizuar në dhënien e pak më shumë parave në nismën COXAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për një shpërndarje globale të vaksinave. Dhe kjo qasje i leverdis shumë dyshes Putin-Xi. / Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!