Njëri nga portierët e kombëtares shqiptare mund të hedhë një hap të rëndësishëm në karrierë. Tomas Strakosha është objektiv i njërit prej klubeve më të mëdhenj të Serisë A.
Nuk mund të mos binte në sy. Tomas Strakosha është padyshim një nga portierët më të mirë të Serisë A, dhe normalisht që një klub ndër më të mëdhenjtë do ta kërkonte, shpejt a vonë. Ky klub e ka emrin Inter, vërtet në krizë edhe këtë sezon, por bëhet fjalë për një ekip që ka fituar 18 herë Serinë A, 3 herë Championsin, 3 herë Kupën UEFA, dhe 7 herë Kupën e Italisë.
Mediat spanjolle dhe ato italiane shkruajnë se trajneri Spaleti dhe drejtuesit po mendojnë për një pasardhës të Samir Handanoviçit, i cili ishte shumë zhgënjyes në barazimin e javës së fundit në kampionat ndaj Torinos. Për momentin, ka 3 kandidatë, ndër të cilët Strakosha i Lacios dhe Areola i Paris SG. Portieri i kombëtares shqiptare po shkëlqen prej të paktën dy sezonesh, dhe gjatë verës për të mendoi edhe ekipi nënkampion i Europës, Liverpuli, që ishte gati të jepte 35 milionë euro, aspak gjë e vogël, për një ruajtës të portës.
Ai ka bërë pritje të rëndësishme për Lacion, dhe në moshën 23-vjeçare cilësohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, po aq sa Çiro Imobile apo Sergej Milinkoviç-Saviç. Gjithsesi, duket e vështirë që klubi kryeqytetas i Italisë të pranojë të mbetet aq lehtë, pa numrin 1 të portës./abcnews.al