Nga Linda Karadaku
Lëvizjet e majta dhe nacionaliste në Ballkan kanë fituar terren kundër elitave të vjetra dhe të akuzuara gjerësisht për korrupsion, keq-menaxhim të burimeve kombëtare dhe keqpërdorim të parasë publike, duke arritur të fitojnë mbështetjen e gjerë të votuesve.
Në Kosovë, partia e majtë-nacionaliste Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vendit me një diferencë masive, shumë përpara Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Albin Kurti, i cili shërbeu si kryeministër për më pak se dy muaj vitin e kaluar, premtoi luftë kundër korrupsionit dhe jo kompromis në dialogun me Serbinë. Ndërkohë që votonte, Kurti theksoi Kosovën si një shtet të pavarur” dhe shtoi se “po i drejtohej popullit të saj si burim i sovranitetit”.
Zgjedhjet kombëtare janë të pestat që nga pavarësia dhe ato u caktuan pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që vota parlamentare që zgjodhi një qeveri të re në qershor ishte jokushtetuese. Gjykata vendosi më 21 dhjetor se zgjedhja e qeverisë Hoti nuk ishte e vlefshme sepse një anëtar i parlamentit që votoi për qeverinë kishte qenë i dënuar më parë me burg me një vendim të formës së prerë nga një gjykatë e vendit.
Por i njëjti akt-gjykim vlente edhe për Kurtin dhe të tjerë që nuk u lejuan të garojnë për zgjedhje sepse ishin dënuar nga gjykata me një vendim të formës së prerë për hedhjen e gazit lotsjellës në parlament në vitin 2015. Një qeveri koalicioni e udhëhequr nga Kurti zgjati vetëm 52 ditë para se të rrëzohej me një mocion mosbesimi. Kurti bëri të qartë se dialogu me Serbinë nuk ishte një nga “nga përparësitë e para” të tij dhe premtoi reforma të shumta.
“Ne planifikojmë të përqendrohemi në forcimin e shtetit tonë, dhe dy shqetësime kryesore të qytetarëve të Kosovës janë puna dhe drejtësia,” u shpreh Kurti.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje ia dolën të marrin mbështetjen e një shumice dërrmuese të popullsisë së Kosovës, duke premtuar jo thjeshtë punë dhe drejtësi, por një të ardhme për shtetin e ri, pa korrupsion, me një qëndrim prej të barabarti përballë Serbisë, me nxjerrjen jashtë loje të elitave të vjetra dhe mbi të gjitha me dominimin për herë të parë të skenës politike nga një grupim, nga një njeri që kishte punuar dhe luftuar për këtë ditë që prej dekadash! Por Albini nuk është i vetmi. Rajoni ofron shembuj të ngjashëm.
SHKËLQIMI DHE RËNIA E ALEXIS TSIPRAS
Në janar të vitit 2015, Alexis Tspiras erdhi në pushtet si një flakadan i majtë dhe radikal. Ai u zotua të zhvillonte luftë kundër oligarkisë greke dhe t’i rezistonte teknokracisë së BE-së.
“Greqia lë pas ashpërsinë katastrofike, lë pas frikën dhe autoritarizmin, lë pas pesë vjet poshtërim dhe ankth,” u proklamoi ai një turme përkrahësish ditën e zgjedhjeve në 2015,” deklaroi Tspiras.
Por në katër vitet që pasuan, Tsipras mbrojti oligarkët e vjetër dhe krijoi një brez të ri të tyre. Ai zbatoi masa shtrënguese aq brutale sa që edhe ministri i financave të Gjermanisë Ëolfgang Schäuble e akuzoi për “vënien e barrës mbi të dobëtit”.
Dhe kërkoi me ngulm ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë me premtime të mëdha për taksa të vogla dhe viza të arta. Ekziston një pikëpamje e përbashkët se transformimi i Tsipras ishte i paracaktuar. Midis vëzhguesve të djathtë, ai është portretizuar si nënprodukti natyror i politikës radikale që përplaset me realitetin e ftohtë: Tsipras thjesht u tregua i mençur përballë qëndrimit konfrontues të Syrizës. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se t’i përmbahej diktatit të trojkës së huadhënësve – kështu që ëndrrat e Syrizës ishin të vdekura që në lindje.
Me pak fjalë, Tspiras nuk kapitulloi thjesht para trojkës, apo shkëmbeu idealet e tij radikale përballë realitetit. E kundërta, ai e modifikoi në mënyrë aktive qeverinë e tij si një forcë të djathtë në skenë ën botërore. Për shumë mbështetës të Syrizës, tradhtia ishte më shumë se e padurueshme. Votuesit e rinj të Greqisë, baza historike e Syrizës, u zhvendosën drejt Demokracisë së Re, në të djathtën e qendrës: nga vetëm 16.5% që ishte në vitin 2015, në më shumë se 30% pas katër vjetësh, një rezultat ironik, duke pasur parasysh angazhimin e Syrizës për ta. Rezultatet e Syrizës tek pensionistët ishin edhe më keq, sipas rezultateve të sondazheve në atë kohë, 46.4% e grekëve në pension votuan Demokracinë e Re, krahasuar me vetëm 25.5% për Syrizën.
Në maj, Tsipras bëri një përpjekje të fundit për t’i tërhequr këta votues përsëri në parti me një “paketë stimuluese” të uljes së taksave dhe shpërblimeve të pensioneve – duke miratuar në thelb programin ekonomik të Demokracisë së Re. Por kjo lëvizje vetëm rriti disonancën midis retorikës populiste të Syrizës-s dhe realitetit të saj parlamentar. Kur erdhi koha e zgjedhjeve, vota për Demokracinë e Re tregoi se votuesit e ndanë mendjen të zgjidhnin këtë disonancë – duke ndjerë kthimin në realitet, megjithëse i ashpër, duke shkuar kështu nga festa e cirkut të Tsipras drejt një rimëkëmbjeje ekonomike.
DRITANI SHQIPTAR QË SOLLI NË PUSHTET PRO-SERBËT
Milo Đukanović, presidenti i vogël i vendit ballkanik, i cili ka dominuar politikën e brendshme të Malit të Zi për tre dekada, pësoi një humbje tronditëse kur partia e tij humbi shumicën në zgjedhjet parlamentare dhe shqiptari Dritan Abazoviç nga Ulqini, u bë njeriu më i përfolur në vend brenda natës pasi rezultatet treguan se partia e tij dhe koalicioni “E Zeza në të Bardhë” morën 4 vende në parlament, duke i dhënë shumicën opozitës. Ndërkohë që Abazović është një kundërshtar i ashpër i Đukanović, ai përballet me kritika nga progresistët për faktin se iu mundësoi nacionalistëve pro-serbë dhe pro-rusë që të vinin në pushtet. Aq më tepër, në një ironi të fatit për shqiptarët, që shihnin sesi një shqiptar po u hapte rrugën ultra-nacionalistëve për të ardhur në pushtet.
DRITAN ABAZOVIÇ: “Ne kemi jetuar në një vend që trajtohej si pronë private e një individi dhe e një pale. Sfida më e madhe tani është të jesh në gjendje të nxjerrësh praninë e tyre nga çdo pore e shoqërisë malazeze. Kjo është ajo që qytetarët e Malit të Zi duan më shumë nga ne. ”
Me gjithë përpjekjet e Abazovic për të siguruar opinionin brenda dhe jashtë vendit se nuk do të ndryshonte asgjë në gjërat madhore, si NATO-ja, BE-ja dhe njohja e Kosovës, realiteti filloi të dukej gjithnjë e më i zymtë. Filluan aktet e dhunës ndaj pakicave. Institucioni kryesor i trashëgimisë kulturore të Malit të Zi lëshoi një deklaratë të duke dënuar rritjen e sulmeve ndaj pakicave dhe duke thënë: “Vitrinat e thyera të dyqaneve, mesazhet e intolerancës në shtëpitë e tyre dhe thirrja për spastrim të ri etnik shqetësojnë çdo qytetar me qëllime të mira dhe ngrenë pyetjen: Cili është lloji i politikës që sugjerojnë këta luftëtarë të lirisë? “
Mali i Zi ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve etnikë, boshnjakëve dhe kroatëve që nuk përshtaten në vizionin e bllokut kryesor të opozitës për një vend që sipas tyre është kryesisht ortodoks lindor. Edhe pjesa më e madhe e fushatës zgjedhore përqendrohej në ligjin për liritë dhe të drejtat fetare. Politikanët e opozitës dhe vetë kisha serbe u sulën kundër ligjit, duke thënë se ai përbënte ndërhyrje të shtetit në fe dhe kishte për qëllim të mbillte përçarje brenda Malit të Zi.
“Kushdo që godet kundër Zotit dhe Shën Vasilit përfundon kështu”, tha udhëheqësi i opozitës Zdravko Krivokapiç pas fitores së koalicionit në tyre në zgjedhje, duke pretenduar se presidenti kishte çnderuar kujtimin e shenjtorit më të nderuar të Malit të Zi.
Ndërkohë që partia e Gjukanovic është në opozitë, mandati presidencial i Gjukanovic vazhdon deri në vitin 2023. Gjukanovic ka drejtuar vendin e tij me një kurs të gjerë pro-perëndimor për sa i përket politikës së jashtme: Mali i Zi u bashkua me NATO në 2017 dhe është në bisedimet e anëtarësimit në BE. Sidoqoftë, ai është akuzuar gjerësisht se nuk ka respektuar standardet demokratike dhe në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Disa nga kritikët e tij për një kohë të gjatë kanë pasur ndjenja të përziera në lidhje me humbjen e partisë së tij, e cila ka qeverisur vazhdimisht që kur Mali i Zi prezantoi zgjedhjet shumë-partiake në 1991 pas shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste.
Pjesa më e madhe e grupeve që e mundën atë, janë nacionalistë pro- rusët, favorizojnë lidhjet më të ngushta me Serbinë dhe kanë qenë kritikë ndaj hyrjes së vendit në NATO dhe rrugën e saj në BE. Milica Bogdanović, një aktiviste e shoqërisë civile tha se “Ky është një vend i ekstremeve. Nga njëra anë, ne kemi Partinë Demokratike të Socialistëve, punët e tyre korruptive dhe menaxhimin e tmerrshëm të burimeve në vend, dhe nga ana tjetër, kemi një lëvizje nacionaliste dhe fetare “.
Dritan Abazovic, edhe pse vetë drejton një lëvizje qytetare, I shërbeu këtij blloku opozitar që tani qeveris Malin e Zi.
Në Kosovë, Albin Kurti, e ka gjithashtu babanë nga Ulqini, por trajektorja e tij politike, është krejt e ndryshme, pavarësisht se të dy vijnë nga shoqëria civile. Kurti ka kundërshtuar Rambujenë, planin Ahtisaari mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, bisedimet dhe dialogun me Serbinë, e shumë të tjera. Në një krahasim mes Albin Kurtit, Dritan Abazovic dhe Aleksis Cipras, ajo që I bashkon është pyetja: A do të arrijnë të bëjnë atë që kanë premtuar? A do t’I ndryshojë pushteti dhe sa? Cila do të jetë në fund trashëgimia e tyre politike? Si dhe për çfarë do të mbahen mend? /abcnews.al/