Nga Leontina Nika
Ekspozita “Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar” pasqyron dokumente që nga 1912 deri ne vitet 70.
Këta artefakte prezantohen në një ditë simbolike në përvjetorin e 13 të shtetit të Kosovës.
Bedri Zyberaj, çmon posaçërisht kontributin e Ernest Koliqit, për hapjen e shkollave shqipe.
“Deri në kohën e monarkisë jugosllave ne nuk kemi pasur të drejtën e shkollimit në Gjuhës Shqipe. Në rend të parë kontributi i tij ka qenë për shkollimin, për hapjen e shkollës në Gjuhën Shqipe e cila në Kosovë ka munguar deri në Luftën e Dytë Botërore.
Unë personalisht kam gjetur në arkivin e shtetit shqiptar dokumente që janë kërkuar dy mësues nga fshati ku unë vij, nga rrethina e Ravecit, dy mësues në Gjuhën Shqipe, mundësisht një femër për të shkolluar vajzat”, u shpreh ai.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, thotë se pavarësisht sistemeve, në rrjedhat e historisë Shqipëria ka mbështetur gjithnjë Kosovën, ndërsa ndërprerjen e marrëdhënieve njerëzore dhe zyrtare nga 1981 deri në demokraci e lidh me luftën e ftohtë.
“Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet me Jugosllavinë, ndërsa me shqiptarët asnjëherë nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet. Shqipëria ka qenë në mbështetje të protestave dhe demonstratave të shqiptarëve në Kosovë”, tha ai.
Ekspozita e çelur në ambientet e Kalasë së Tiranës u realizua si bashkëpunim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
/abcnews.al/