Frenimi i emigracionit klandestin ka bashkuar kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban dhe numrin dy të qeverisë italiane Matteo Salvini. Gjatë një vizite në Milano, Orban ka deklaruar se dy qeveritë treguan se emigracioni ilegal mund të ndalet si në planin juridik dhe atë fizik.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe zëvendës kryeministri i Italisë, Matteo Salvini kanë gjetur njëri-tjetrin në takimin e parë mes tyre, i zhvilluar të martën në Milano. Të bashkuar në politikën kundër emigrantëve, fjalët e mira në adresë të njëri-tjetrit nuk janë kursyer. “Ishte një bisedë shumë entuziaste. Matteo është heroi im, ai tregoi se emigracioni klandestin përmes detit mund të ndalet”, ka deklaruar Orban për interlokutorin e tij.
Shefi i qeverisë hungareze ka theksuar se, çështja e emigracionit është shumë e rëndësishme dhe Hungaria tregoi se fenomeni mund të ndalet si në planin juridik edhe në atë fizik. “Mos u ndal, por vazhdo të mbrosh kufijtë europianë”, ka inkurajuar Orban Salvinin. Nga ana e tij, numri dy i qeverisë italiane është shprehur krenar për përfaqësimin e një politike që sipas tij ka gjetur terren të përbashkët në Europë. “Atë që kemi bërë deri më sot do ta bëjmë edhe nesër”, ka vijuar Salvini, duke sfiduar edhe prokurorët që mund ta hetojnë për rastin e anijes “Diçoti”.
Nga konferenca e shtypit, Salvini i ka bërë thirrje Francës që të tregojë më shumë solidaritet për emigrantët dhe të ndërpresë politikën e kthimit të tyre në qytezën kufitare Ventimilia. Ndërkohë, në Milano qytetarë të shumtë italianë kanë protestuar kundër pranisë së dy liderëve, duke ngritur parullën “Të ruajmë humanizmin”./abcnews.al