Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtyrë për në 25 shkurt kërkesën e ILD-së për shkarkimin e gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, e cila u prangos me urdhër të SPAK pak ditë më pare bashkë me 9 persona të tjerë, mes tyre dhe avokati Aldo Tabaku.
Ndërkohë në këtë seancë Hoxha e cila ndodhet në burg është përfaqësuar nga avokati i saj Ardian Visha.
Në fjalën e tij mbrojtja e Hoxhës ka kërkuar pezullim të procesit me pretendimin se magjistratja Hoxha duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje.
Por kreu Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nuk ka qenë dakord, pasi procesi përfshin edhe mbrojtjen nga avokati.
“Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është ajo njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka patur mundësi e kohë për mbrojtjen. Edhe avokati ka patur kohë sepse është caktuar më 27 janar”, ka thënë Metani.
Ndërsa nga ana tjetër nënkryetari i KLGJ-së Maks Qoku u shpreh se magjistratja duhet të saktësojë vullnetin për të qenë në seancë dhe sa i takon kërkesave të tjera, ato të diskutohet pas paraqitjes së mbrojtjes. Seanca shtyhet më 25 shkurt në orën 10:00 dhe avokati të depozitojë mbrojtjen me shkrim më 23 shkurt./abcnews.al

