Për kompanitë e mirëmbajtjes që kanë qenë përgjegjëse për menaxhimin e situatës në akset kombëtare të shtunën mbrëma kur vendi u përfshi nga një stuhi dimri, nuk ka pse te ketë penalitete.
Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në një bisedë me Sibora Bitrin në “Radari Informativ” në ABC. Ministrja shtoi po ashtu se këto kompani dhe punonjësit e tyre e kanë bërë punën e tyre.
“Jo nuk do të ketë penalitet sepse kur kanë bërë detyrën e tyre. Të gjithë punëtorët i kam parë vetë që të punojnë në kushte ekstreme. Mbrëmë në Qafë Thanë kam parë sesi qëndronin në minus 12 gradë dhe kanë punuar gjithë natës për të hapur pjesët e bllokuara.”
Po ashtu, Balluku theksoi se situata të shtunën mbrëma ishte ekstreme, ndërsa shtoi se kushte të tilla meteorologjike nuk ishin parë në vendin tonë prej dekadash.
Sipas ministres, bllokime aksesh ka pasur në të gjithë botën. Balluku shtoi se situata në rrugë u përkeqësua nga erërat e forta që bënë që drejtuesit e mjeteve të mos kishin vizibiletet, ndërsa problem u bënë edhe automjetet e tonazhit të rëndë.
Duke iu referuar situatës së krijuar në aksin Lezhë-Milot, ministrja shprehet: “Ngjarje të njëjta kanë ndodhur në të gjithë botën, ku ka kaluar stuhia. Po ta shohësh karexhata nuk ka borë. Makinat pësuan aksidente. Kamioni u aksidentua. U munduam ta lëviznim. Ka ardhur një bllokim siç vjen edhe në ditët normale kur ndodh një aksident. Ka qenë një trafik i rënduar edhe për shkak të fundjavës.”
Por, pse nuk u morën masat paraprakisht kur prej ditësh dihej që vendi do përfshihej nga moti ekstrem?
Balluku shpjegon: “E kemi thënë vazhdimisht që pritet një mot ekstrem. Të mos kishte më lëvizje, kërkuam që të ndalohej kalimi i automjeteve të tonazhit të rëndë. Kemi dhënë një urdhër, kur nisi stuhia. Vizibiliteti i ulët, automjetet hapnin krahun, na bënë që të kërkonim ndalimin e automjeteve të tonazhit të rëndë. Të premten priten temperatura ekstremisht të ulëta, në limite historike.”
Sipas Ballukut, ministria që ajo drejton, ARRSH dhe të gjitha organet e përfshira i kanë kryer që të gjitha detyrat.
“Në Milot-Lezhë, ka pasur edhe punëtorë që mundoheshin të pastronin te gomat ku mblidhej bora nga stuhia. Ne i kemi pasur të gjitha pajisjet në dispozicion. Edhe në Elbasan pati një bllokim. Qafë Thana, e Lushnje-Fier, në kontratë nuk ka as borëpastruese as kripë. Nëse u bllokua Lushnje- Fier e kuptojmë për çfarë situate po flasim dhe padyshim që Qafë Thana do bllokohet.”
Ministrja theksoi edhe një herë se situata ishte e pazakontë ndërsa solli si shembull edhe bllokimin e autostradës në Madrid pas stuhisë, shembull i sjellë edhe nga kryeministri Edi Rama ditën e djeshme. sb/abcnews.al/