Nesër rikthehet Champions League dhe ky është një shans i mirë për Liverpool për të lënë pas krahëve momentin e vështirë që po kalon në kampionat. “The Reds” do të përballen me Leipzig për një biletë në çerekfinale.
Sfida e parë që sheh ekipin gjerman si pritës, do të luhet në “Puskas Arena” të Budapestit, duke nisur prej orës 21:00. Në konferencën për shtyp, Jurgen Klopp ndalet te situata dhe gjendja e skuadrës së tij. “Qarkullojnë shumë thashetheme, por unë ndihem shumë mirë te Liverpool.
Kemi biseduar të gjithë bashkë dhe kemi analizuar rezultatet e fundit (tre humbje radhazi në Premier për kampionët në fuqi). Nuk duhet të heqim dorë nga filozofia jonë, duhet të vazhdojmë ta çojmë përpara atë edhe në Champions.
Ndaj Leicester humbëm për shkak të disa gabimeve individuale, jo prej faktit që luajtëm keq. Le të qëndrojmë të bashkuar, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Humori në ekip është i mirë, edhe pse ka qenë edhe më i mirë në të kaluarën.
Një gjë ja u siguroj: askush prej nesh nuk është i kënaqur me faktin që renditemi në vend të katërt në kampionat. Naby Keita nuk do e kemi të gatshëm për ndeshjen me Leipzig“, theksoi trajneri gjerman i Liverpool. /abcnews.al