Prej disa ditësh, nga momenti që rastet me koroanvirus në Shqipëri kapërcyen fuqishëm, policia u mobilizua duke gjobitur edhe partitë politike për grumbullimet për shkak të fushatës. Por edhe gjobat nuk i kanë trembur disa prej tyre. Kreut të FRPD-së, Belind Këlliçi nuk i intereson aspak se cfarë thonë ekspertët dhe për gjobat e institucioneve.
Në faqen e tij në Facebook ai ka postuar disa foto nga një takim që ka zhvilluar dje në Kombinat, zonë që mbulon për zgjedhjet, ku të pranishmit në sallë jo vetëm që janë mbi 10, por nuk i mban as ambienti, pasi janë ngjitur, kapicë, pa maskë dhe distancë.
Me pijet mbi tavolinë duket se gjithçka është gati për festë, ndërsa për koronavirusin nuk i bie askujt ndërmend.
“Zhvillova dje një takim me të rinjtë e Degës 6 të FRPD në Kombinat. E vlerësoj maksimalisht angazhimin e tyre vullnetar dhe u jam mirënjohës që e kaluan këtë të dielë të bukur dëbore në punë, sepse besojnë te Partia Demokratike.
Jam një ndër ta. Para se të jem kryetar i forumit, jam anëtar i tij. FRPD është krenaria ime. Aty kam njohur djem e vajza që po i rezistojnë tundimit për t’u larguar jashtë vendit. Ne nuk do të reshtim së besuari tek energjitë tona, tek Shqipëria. Prandaj të rinjtë duhet të qëndrojnë dhe Rama të largohet.
Janë shtresa më e prekur nga depresioni ekonomik që kalon vendi. Ndryshe nga ç’u premtua, kostoja e jetesës është rritur. Shqipëria ka 8 vjet në baltë me Ramën. Është koha të nxjerrim atdheun nga balta. Më 25 prill do të fitojnë të rinjtë, PD dhe Shqipëria” shkruan ai./ db/ Abcnews.al