Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një takim me një numër të kufizuar të Kryesisë së Grave të PR, kritikoi qeverinë për mënyrën si menaxhon pandeminë e covid 19.
“Asnjë vend tjetër në rajon nuk po bën atë që po bën Shqipëria. Të gjitha qeveritë e vendeve në rajon janë angazhuar në mbështetjen e qytetarëve të vet, me vaksinimin, me mbështetjen shëndetësore dhe me mbështetjen financiare”
Në vijim ai u ndal tek marrëdhënia e PR-së më PD, që ende nuk kanë arritur një marrëveshje për të dalë në një koalicion në zgjedhjet e 25 prillit. Kryerepublikani vlerësoi programin që PD ka prezantuar deri më tani por kërkoi prej Bashës integrim me platformat e partive të tjera opozitare.
“Që ky program që është paraqitur nga Partia Demokratike, duhet patjetër të integrohet me programet e partive të tjera të opozitës, për të krijuar programin e qeverisjes së qytetarëve shqiptarë, në interes të Shqipërisë, në shërbim të interesave tona kombëtare”
Më e rëndësishme sipas tij është dhe afrimi i njerëzve të kualifikuar që mund të jenë nesër në qeverisje, dhe jo thjeshtë që i përkasin politikës opozitare.
“Është e rëndësishme që ky program po ashtu të shoqërohet me njerëz kualitativë, të cilët do të jenë pjesë e qeverisjes së nesërme dhe jo vetëm thjesht njerëz të politikës opozitare”
Afrimi i njerëzve të kualifikuar është edhe më e rëndësishme sipas Mediut, në kushtet kur sipas tij vendi ndodhet në një krizë të rëndë politike, institucionale dhe ekonomike./mv.abcnews.al