Në një reagim nga Bashkia e Tiranës thuhet se Partia Demokratike doli përsëri bllof sot kur akuzoi Bashkinë për përcaktimin e një zone të re zhvillimore me Planin e Ri të qytetit. Në reagim theksohet se me planin e ri urbanistik të Tiranës, në zonën e Liqenit nuk lejohen më ndërtime.
Në rastin konkret, sipas bashkisë, bëhet fjalë për zonën e Gardës së Republikës, e cila me planin e ri i kthehet Parkut të Liqenit .Kjo është vetëm 1 nga 5 zonat e Tiranës që Bashkia, me planin e ri, ia ka kthyer Parkut të Liqenit, duke pezulluar tërësisht zhvillimin, ndryshe nga ndërtimet pa kritere që parashikoheshin me planin Basha-vijon më tej njoftimi për shtyp i bashkisë.
Këto 5 zona janë; Zona e pishinave dhe e Parkut Olimpik, Parkimi privat te fillimi i Digës së Liqenit, E gjithë hapësira e pazhvilluar e zonës së Gardës, Zona e ish-disko Refleksionit dhe Zona e kompleksit të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Gjithashtu, në dy zona të tjera, tashmë të zhvilluara, pranë liqenit janë pezulluar shtesat në volum. Njoftimi i bashkisë bën të ditur se një prej këtyre zonave, është edhe banesa private e kryetarit të PD-së, i cili gjatë kohës që ishte kryetar bashkie i dha vetes leje ndërtimi për shtesë kati mbi një pallat 11 katësh, në shkelje të pastër të ligjit dhe në konflikt interesi flagrant./abcnews.al