Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e pranisë së reshjeve të borës dhe motit të keq në vendin tonë.
Përmes një postimi në rrjetin social ministria u kërkon qytetarëve që të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme.
Sipas ministrisë është e rëndësishme që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje për shkak të pranisë së ngricave në rrugë.
Ndër të tjera bëhet me dije se përveç zonës së Nënshkodrës ku po ndihmohen banorët e prekur nga përmbytja, Forcat e Ushtrisë po ndihmojnë edhe në zonat e tjera të vendit.
Njoftimi:
I gjithë territori i vendit tonë ditën e sotme është mbizotëruar nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe me reshje dëbore. Si rezultat i reshjeve të borës në disa qarqe të vendit kemi pasur problematika në disa akse rrugore.
Ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.
Ditën e djeshme si rezultat i reshjeve të borës është bllokuar aksi rrugor Milot-Lezhë. Situata ishte shumë e vështirë pasi 2 kamionë ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe ishte e pamundur qarkullimi i mjeteve. Është organizuar puna me forca dhe mjete si dhe batanije dhe karburant për automjetet e bllokuara në këtë aks rrugor. Pas një pune të gjatë aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve.
Si pasojë e reshjeve të borës, ditën e djeshme ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan- Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore të cilët kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.
Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Aktualisht trupat dhe mjetet e FA janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet.
Një borëpastruese e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale të Drenovës është angazhuar për pastrimin e aksit Korçë-Kapshticë.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme, sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave.e.su./abcnews.al