Në merkaton e verës pritet të ketë zhvillime të reja në repartin e sulmit të Milanit. Ende nuk dihet nëse Zlatan Ibrahimovic do të qëndrojë dhe për një vit apo do të tërhiqet nga futbolli, por kjo nuk do të ndikojë në afrimin e një sulmuesi të ri.
Sipas raportimit të “Tuttosport”, drejtuesit kuqezinjt kanë piketuar Andrea Belottin si zëvendësuesin e duhur për suedezin. Në fakt kapiteni i Torinos ka qenë një dëshirë e hershme për “Djallin”, por transferimi i tij nuk është realizuar dot.
Me apo pa Ibrën sezonin tjetër, Belotti konsiderohet si lojtari i duhur për sulmin e Milanit, por nga ana tjetër është Torino që kërkon rinovimin me italianin.
Kontrata e tij përfundon në vitin 2022, por këtë herë negociatat janë më të komplikuara. Torinezët renditen në vendin e 17-të të renditjes dhe janë shumë larg një vendi në Europë, çka mund ta tundojë Belottin drejt një aventurë të re. /abcnews.al