Maqedonia e Veriut regjistron shtatë viktima dhe 416 të infektuar me COVID-19

schedule21:06 - 11 Shkurt, 2021

schedule 21:06 - 11 Shkurt, 2021

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të enjten për shtatë persona të vdekur dhe 416 të tjerë të infektuar me koronavirus, bazuar në testimin e 2,705 mostrave në klinikat publike e private.

Viktimat janë, tri në Shkup (61,66 dhe 86 vjeç) dy në Strugë (53 dhe 73 vjeç) dhe nga një në Ohër (69) dhe Kavadar (84). Të gjithë pacientët kanë vdekur në kushte spitalore.

Sa u përket të infektuarve, numri më i madh i tyre është në Shkup, gjithsej 186 persona ndërsa numër më i vogël është regjistruar në 29 qytete tjera.

Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë bën të ditur edhe për 278 persona të shëruar në 24 orët e fundit.

Deri tani në Maqedoninë e Veriut me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, janë diagnostikuar 96.152 persona.

Prej tyre 87.122 janë shëruar, 2.966 persona kanë humbur jetën.

Raste aktive janë 6,064.

Maqedonia e Veriut ndërkohë nuk ka arritur as të enjten të pranojë donacionin nga Serbia prej rreth 8 mijë vaksinave të kompanisë Pfizer kundër COVID-19.

Një ditë më parë Qeveria maqedonase kishte informuar publikun se të enjten në mesditë do të mbërrinin vaksinat e dhuruara nga Beogradi zyrtar, por kompania amerikane nuk ka miratuar ende dhurimin e tyre.

“Pranim-dorëzimi i kontingjentit u anulua për çështje teknike. Të dyja qeveritë janë në komunikim të vazhdueshëm dhe jemi njoftuar që dokumentacioni nga Republika e Serbisë është kompletuar plotësisht. Për momentin pritet në afatin më të shkurtër të mundshëm kompania Pfizer të lëshojë një aprovim të dokumentuar deri te Beogradi zyrtar dhe pastaj menjëherë do të realizohet pranim-dorëzimi i dozave”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev të martën paralajmëroi se më 16 shkurt do të arrijnë në Maqedoninë e Veriut 200 mijë vaksina kineze “Sinovac” ndërsa përmes platformës COVAX do të arrijnë edhe doza të tjera vaksinash deri në fund të marsit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!