Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim thotë se ka marrë garanci nga kreu i qeverisë Edi Rama se kreu i PSD Tom Doshi nuk do të ketë asnjë rol në çdo qeveri që ai do të formojë. Me anë të një statusi në Twitter, Kim shprehet se duhet t’i japim fund spekulimeve pasi në bisedën që ka pasur me Ramën, ka qenë vetë ai që i ka kujtuar që e ka përjashtuar Tom Doshin nga partia e tij.
“Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: KM Edi Rama dhe unë patën një bisedë të qartë se çfarë do të thotë ky emërtim. Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri në çdo qeveri që ai do të formojë”, shkruan Yuri Kim.
Let me end the speculation: PM @ediramaal & I have a clear understanding of what this designation means. In fact, the PM reminded me that he had personally expelled this person from the Socialist Party. He emphasized that this person would have no role in any government he forms. https://t.co/KmfEECp0Gv
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) February 11, 2021
Mesazh i paralajmëruar
Mëngjesin e sotëm e pyetur nga Durrësi, Kim paralajmëroi mesazhin që dha në orët e pasdites në lidhje me kërkesën për regjistrim në zgjedhje të ish-deputetit të PS Tom Doshi.
“Vazhdoj ta theksoj këtë pikë. Votuesit shqiptarë meritojnë më shumë. Kjo nuk është se këtë e kërkon SHBA, ambasada amerikane është ajo cfarë votuesit shqiptarë e meritojnë. Mbetet për ta parë. Vijoj diskutimet për këtë çështje që është me rëndësi nga fundi I ditës do të shkruaj dicka të re për këtë”, u shpreh Kim.
Replikat
Yuri Kim ka kërkuar pak ditë më parë që Tom Doshi të mos kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit duke shpërndarë deklaratën e DASH ku Doshi është në listën e zezë, ndërsa në vitin 2018 këtij të fundit iu refuzua viza nga SHBA.
Pavarësisht thirrjes së Kim, Tom Doshi e sfidoi hapur atë duke paraqitur në KQZ kërkesën për regjistrimin në zgjedhje.
Nga ana tjetër kreu i qeverisë Edi Rama në daljet e tij publike ka preferuar të mos komentojë për rastin konkret duke iu përgjigjur ambasadores Kim se nuk është nevoja t’i tregojë detyrat./mv.abcnews.al