Presidenti i vendit Ilir Meta vizitoi Bashkinë e Konispolit në kuadër të nismës për dhurimin vullnetar të gjakut. I shoqëruar nga kreu i pushteti vendor atje, presidenti falenderoi bashkinë dhe qytetarët të cilët iu përgjigjën thirrjes për dhurimin e gjakut.
Nismën e Aleancës për Dhurimin e Gjakut, presidenti Ilir Meta këtë herë e mbështeti në bashkinë më jugore të vendit, Konispol. I shoqëruar nga kreu i bashkisë Shuaip Beqiri, kreu i shtetit falenderoi vullnetarët në këtë proces shumë të nevojshëm për vendin.
“Sot edhe një bashki e cila ka zgjedhur të kontribuojë në “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, duke ftuar jo vetëm punonjësit e saj, por dhe qytetarët e Konispolit për të dhuruar gjak”.
Këta të fundit veç solidaritetit, për kreun e shtetit kanë edhe të tjera cilësi.
“ Qyteti i Konispolit ka një komunitet jashtëzakonisht solidar e njerëzor, i gatshëm për të sakrifikuar edhe disa momente pushimi në emër të një kauze jashtëzakonisht humane. Mbi të gjitha duke dhuruar një “gjak shumë cilësor” me vlera të veçanta, për shkak të klimës së kombinimit perfekt këtu, të jodit me oksigjenin”.
Presidenti falenderoi kreun e bashkisë si dhe i uroi banorëve sukses në pjesën e mbetur të sezonit turistik./abcnews.al