Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nisi të martën gjykimin e ish-presidentit Donald Trump, nën akuzat për nxitje të kryengritjes, më 6 janar.
Atë ditë, mbështetësit e Trumpit sulmuan dhunshëm ndërtesën e Kongresit amerikan, derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Pesë persona, përfshirë një zyrtar të policisë, janë vrarë në trazira. Gjyqi u hap me një votim procedural mbi një marrëveshje dypalëshe, që përcakton rregullat e gjyqit, e cila u miratua.
Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar.
Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se “ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një”.


