KQZ ka gjobitur kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj me 750 mijë lekë të vjetra për shkelje të rregullave në zhvillimin e aktiviteteve elektorale.
Veliaj është gjobitur me 35 mijë lekë për mos raportim të aktiviteteve si edhe 40 mijë lekë për promovim të aktiviteteve të ndaluara.
Vendimi erdhi pas ankesës nga LSI në lidhje me aktivitetet publike të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Përfaqësuesi i LSI-së tha se në mjaft raste Bashkia e Tiranës i ka kërkuar mediave të caktuara që të publikojnë aktivitetet e kryebashkiakut Veliaj gjatë ditëve të fundit. Ai tha se Veliaj ka shpërfillur parimin e armëve të barabarta që subjektet politike duhet të kenë 4 muaj para datës së zgjedhjeve. Kjo datë përkon me datën 25 dhjetor, ndërkohë që sipas përfaqësuesit të LSI-së Veliaj ka kryer aktivitetet edhe gjatë janarit dhe shkurtit.
Problematikat për të cilat LSI ka paditur Veliajn për masë administrative në KQZ kanë të bëjnë me shpërndarjen e çelësave të shtëpive të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit si edhe inspektimet e punimeve në zona të ndryshme të Tiranës.
Sa i përket dorëzimit të çelësave, denoncimi i LSI-së përmban 3 raste të tilla, të cilat janë: Vizita e Veliajt në shtëpinë e Hamit dhe Genc Allmuçës në Mumajes të Tiranës me datë 12 janar; vizita në shtëpinë e Mehdi Agës në Vaqarr më datë 27 janar dhe vizita në një shtëpi në Kryevidh të Kavajës më datë 30 janar.
Sa i përket inspektimeve, LSI e fokusoi kërkesën tek fakti se Veliaj nuk i ka raportuar ato sipas përcaktimeve të bëra nga KQZ për raportimin e aktiviteteve publike 5 ditë para zhvillimit.
Nga ana e tij, Eridian Salianji si përfaqësues i Bashkisë së Tiranës tha se inspektimi i investimeve nuk përbën shkelje pasi prokurimi i tyre është bërë para datës limit për kryerjen e tyre.
Nisur nga kjo, Salianji kërkoi rrëzimin e kërkesën e LSI-së.
Pas dëgjoi palët, denoncimin nga LSI dhe mbrojtjen e përfaqësuesit të bashkisë, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi vendosi gjobitjen e Veliajt me 75 mijë lekë.
“Vendosëm: 1-Sansionin administrativ ndaj z.Erion Veliaj me gjobë në shumëm e 35 mijë lëkëve për shkelje të Kodit Zgjedhor për mosraportim të aktiviteteve publike; 2)Sanskionin administrativ në shumë 40 mijë lekë për shkelje të Komisionit Rregullator“, tha Ilirjan Celibashi. /abcnews.al