Ermal Tahiri: Hapat fals i shtojnë oreksin dhe vrullin rivalëve të Vllaznisë

schedule00:27 - 9 Shkurt, 2021

schedule 00:27 - 9 Shkurt, 2021

Ermal Tahiri, specialist futbolli, i cili ka qenë pjesë e Dinamos dhe kombëtares, si zakonisht është pjesë e panelit të emisionit “Pressing”ABC. Ai foli në lidhje me duelin e luajtur në Shkodër mes Vllaznisë dhe Laçit, ndërsa më pas kaloi edhe te dueli Bylisi-Partizani.

“Kampionati tani nis, pasi 6 pikë nuk janë shumë. As pak. Tani katër vendet e para duan titullin, e pamë edhe Laçin që luajti mirë në Shkodër. Shfrytëzoi mbrojtjen, sulmin dhe gabimet e kundërshtarit. Kemi Teutën që nuk gaboi, nuk luajti mirë. Mori pikët dhe ato kanë rëndësi.

Nëse Vllaznia humb një ndeshje, të gjitha ekipet do kenë vrull dhe oreks për t’i kapur. Kanë dy ndeshje favorizuese, nëse i fitojnë të radhës me Skënderbeun dhe Apoloninë, mbeten në pozita të mira. Vllaznia i ka marrë pikët më parë.

Laçi bëri ndeshjen e tij, e kapi Vllazninë të papërgatitur. Ata kanë lojtarë të shpejtë. Shkodranët duhet të ishin më të mbledhur, nuk e qarkulluan topin as kur ishin me një lojtar më shumë. Një lojtar i Laçit bënte presing dhe nuk e qarkullonte dot topin mbrojtja.

Vllaznia nuk luan vetëm, edhe Partizani do lërë pikë. Ndeshja në Ballsh ishte e dobët nga të dyja ekipet. Bylisi ishte më lart në aspektin e lojës. Ccinari mori penalltinë kur duhej dhe Cara shënoi në një aksion individual, duke treguar cilësitë. Bylisi ka marrë një sulmues nga Serbia. Jo vetëm që nuk shënoi, por nuk po bën punë as në zonën e 16-shes”. /abcnews.al