Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo ka emëruar të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve në Korenë e Veriut. Gjithashtu ai njoftoi se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Phenian, në vizitën e tij të katërt në vendin komunist.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo emëroi Stephen Biegun si përfaqësues special në Korenë e Veriut. Gjithashtu njoftoi se bashkë me të, do të udhëtojnë në Phenian javën e ardhshme. Do të jetë udhëtimi i katërt i Pompeo në regjimin totalitar, por, ndërsa zyrtarët shpresojnë se do të kenë mundësinë të angazhohen drejtpërdrejt me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se “nuk ka plane për një takim” me Kim gjatë kësaj vizite. Lideri suprem shpërfilli Pompeon gjatë raundit të fundit të takimeve në Korenë e Veriut në fillim të muajit të kaluar, të cilat kanë shkuar shumë keq sipas burimeve të CNN.
Sekretari amerikan i shtetit njoftoi punësimin e Biegun të enjten. Ai është një ish ekzekutiv tek kompania e automjeteve Ford, dhe ish-anëtar i lartë i stafit të këshilltares së sigurisë, Condoleezza Rice, në administratën e Xhorxh W. Bush, i cili thuhej se ishte një kandidat i mundshëm për të zëvendësuar ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të presidentit Trump, McMaster. Biegun merr rolin e të dërguarit të posaçëm në Korenë e Veriut në një kohë kur bisedimet mes dy vendeve duket se janë ngadalësuar në lidhje me çështjen e çarmatosjes bërthamore.
Burime diplomatike thanë për CNN se SHBA i ka prezantuar Koresë së Veriut propozime specifike për një rrugë dhe afat kohor për denuclearizimin. Por këto janë hedhur poshtë nga Kim Jong-un, i cili thotë se qëndrimi i SHBA-së është prej “gangsteri”. Vlerësimi më i fundit i programit bërthamor të Koresë së Veriut i lëshuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore vë në dyshim angazhimin e Phenianit për çarmatosjen bërthamore mes aktiviteteve të vazhdueshme në vende të caktuara në vend dhe pamundësisë për inspektorët ndërkombëtar për të hyrë në ato vende. /abcnews.al