Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj tha se dita e djeshme ka pasur nivelim më të lartë të rasteve me koronavirus.
E pyetur për një strategji apo ndryshim të masave aktuale ajo tha se janë disa kritere të cilat vlerësohen para se të ndërmerren masa të forta. “Sa i përket situatës epidemiologjike që do të na sillte masa të reja janë disa kritere që vlerësojmë. Nuk është vetëm rritja e infektimeve, por edhe situata në spitale dhe përqindja e pacientëve në infektiv. Ne në dispozicion kemi 1600 shtretër dhe ka gatishmëri për të ofruar kujdes shëndetësor. Deri tani kemi vetëm 32% të kapaciteteve të zëna. Një tjetër kriter janë edhe fatalitetet, pra duke vlerësuar këto në mënyrë dinamike do të kemi edhe masa që merren nga Komiteti i Ekspertëve”, tha ajo.
Ajo theksoi se gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri dhe se kapacitetet nuk janë të mbingarkuara, ndërsa shtoi se janë dhënë dyshimet e para për variante të reja me Covid.
“Mbi 3 mijë qytetarë kanë përfituar paketën e trajtimit në banesë për forma të lehta të sëmundjes. Sot kemi kapacitete për testime të shpejta dhe atij klasik. Duke vlerësuar nivelin e incidencës javore dhe dyjave që paraqitet në rritje niveli i riskut në vend paraqitet i moderuar.
Lexo edhe: Rastet në rritje, Rama paralajmërim për bizneset: Reflektoni ose rriten gjobat!
Ne nuk kemi kaluar asnjëherë në masa të intensiteti të lartë, por kemi besuar në angazhimin e qytetarëve. Forcimi i këtyre masave në këtë moment është esencial. Në Tiranë përqindja më e madhe e vatrave është e kombinuar mes atyre familjare dhe biznesit.
Bëj një apel të rëndësishëm për qytetarët që kanë dyshime se janë prekur apo janë pjesë e rrethit të kontakteve për tu izoluar në kohë. Nuk mjafton vetëm testimi, por edhe izolimi për të këputur zinxhirin në kohë”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj ministrja e Shëndetësisë tha se janë marrë disa mostra të cilat po ndiqen nga ekspertët, për shkak se janë dyshimet për variante të reja të Covid-19 në vend.
“Kemi dyshime se në Shqipëri janë futur variantet e reja të Covid-19. Kemi marrë disa mostra, sigurisht nën ecurinë e ekspertëve, nën indicien e tyre, bazuar në detaje të simptomave dhe i kemi dërguar në laboratorë të posaçëm. Po çojmë monstra në Berlin për të verifikuar dhe vërtetuar nëse këto dyshime tona do të rezultojnë të vërteta. Rritja ka edhe shkaqe të tjera që lidhen me moszbatimin e masave. Po presim përgjigjet e analizave, por dyshojmë se në vendin tonë kanë hyrë variantet e Covid-19”, sqaroi më tej ministrja./abcnews.al/