Java e parë e shkurtit u mbyll me 80 viktima dhe mbi 7 mijë të infektuar nga koronavirusi në Shqipëri, por pamjet që vijnë nga fushata elektorale në Shqipëri janë akoma më të frikshme duke paralajmëruar ditë akoma më të zeza. Pavarësisht denoncimeve në media, partitë duket se po e shikojnë si reklamë duke mos bërë hapa pas për t’u ndërgjegjësuar, ndërsa policia nuk ka vepruar për t’i ndëshkuar si qytetarët e thjeshtë.
Rasti i fundit vjen nga Durrësi, aty ku djali i ish-deputetit të LSI-së, tashmë pjesë e PS-së, Lefter Koka ka postuar disa foto nga një takim që ka zhvilluar në qytetin bregdetar me të rinjtë. Arbi Koka shkruan se nuk ka pushim kur ka dëshirë për angazhim, ndërsa thuajse 30 të rinj dhe të reja janë në krah të tij pa maskë dhe distancë.
“Nuk ka pushim kur ka dëshirë për angazhim. Gjatë bashkëbisedimeve të sotme me një pjesë të strukturave tona per lagjen 8 dhe 15 zona portoromano. Çdo ditë na bashkohen anëtarë të rinj, që duan të kontribuojnë në të mirë të qytetit dhe vendit. Bashkohu me skuadrën tonë!
Ekipi Lefter Koka PS3” shkruan ai. E ndërsa për policinë është e vështirë që të mbulojë cdo lagje dhe metër rrugë, rastet në fjalë ia bëjnë punën më të lehtë nëse ka vullnet për të reaguar për të gjithë njëlloj./ db/Abcnews.al