Shumëkush ka dëgjuar, ka marrë informacion, apo e ka të qartë faktin se populli dhe autoritetet shtetërore shqiptare i mbrojtën dhe shpëtuan hebrenjtë nga shfarosja gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.
Por si ndodhi e gjithë kjo?
Emisioni Abc/Story mbrëmjen e sotme në orën 22:30, publikoi serinë e dytë (kliko këtu për të lexuar serinë e parë) për këtë histori me një numër të konsiderueshëm dokumentesh të panjohura që vërtetojnë këmbënguljen deri në rrezikim të gjithë faktorit shqiptar për të shpëtuar hebrenjtë.
Janë dokumente të administratave shtetërore të kohës së luftës, shumica në gjuhën shqipe dhe italiane, që u publikuan për herë të parë dhe që ndërtojnë në mënyrën më të besueshme këtë histori.
Autoritetet shqiptare, pa asnjë ngjashmëri me ato të ndonjë shteti Europian të kohës, vërtetojnë njëkohësisht edhe bindjet e atyre që i kanë hartuar. Janë policë e xhandarë që dalin kundër dëshirave dhe kërkesave dhe urdhrave të autoriteteve okupatore, që shkruajnë se hebrenjtë duhen ndihmuar, pasi ata janë larg vataneve të tyre, janë në hall e nevojë etj.
Të njëjtat dokumente vërtetojnë se edhe faktorët politikë, që në këtë kohë ishin në luftë për pushtet, që përndiqnin dhe vrisnin njëri-tjetrin, përballë fatit të hebrenjve kanë pasur ca marrëveshje të heshtura për ti ruajtur dhe mbrojtur, duke shkruar, të gjithë së bashku, kush më tepër e kush më pak, një histori që na nderon./ Abcnews.al