Partizani përfitoi nga humbja e Vllaznisë, fitoi 1-2 sot në Ballsh përballë Bylisit vendas dhe tani është vetëm 6 pikë larg kreut. Trajneri i “Demave”, Ilir Daja, gjatë ndeshjes u pa shpesh i nervozuar me gjykimin, ndërkohë që me përfundimin e përballjes ai foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
“Fitore pas 5 vitesh? E kisha thënë edhe më parë, që do ishte ndeshje e vështirë. Në fushën e tyre duan të rikuperojnë pikët ata. Kishim vështirësi, pasi nuk e njihnim kundërshtarin. Kanë bërë ndryshime. Patëm 2-3 raste para se të shënonim, shpëtuam te penalltia dhe meritë ka Albani. Me rëndësi janë tre pikët”.
“Penalltia dhe goli i pësuar? Duhet përqendrim maksimal, pasi e pëson nga një anësore. Humbja e përqendrimit, te penalltia që ishte, dhe në minutat e fundit, solli ato dy episode: penalltinë dhe golin. Para penalltisë sonë kishte një rast të dyshimtë për ne dhe një rast me Junior”.
“Broja bëri një ndeshje të mirë. Murataj luan në të tria pozicionet e mesfushës. Bardhi nuk ishte në kondicionin e duhur. Ai ka më shumë mundësi, me potencialin që ka si lojtar. Kemi pritshmëri prej tij”.
“Nuk duhet ta dorëzonim topin shpejt, sidomos kur ishim me një lojtar më pak. Ata do kalonin në aventurë dhe kjo është normale. Duhej administruar më lehtë loja, kur rivali ishte me një më pak. Fakti që kemi gjëra për të rregulluar na mban me këmbë në tokë. Nëse përmirësohemi do shkojmë mirë, nëse jo atëherë do të kemi probleme”.
“Firmosni ende për vendin e dytë? Ne mund të synojmë edhe më lart, por mund të humbin edhe në vendin e dytë po menduam për fundin e kampionatit. Duhet të shohim ndeshjen e radhës. Po nuk morëm pikët tona, çka ndodh me rivalët nuk ka më vlerë. Primare është ndeshja e radhës”.
“I thashë që ishte penallti ajo e Brojës. M’u duk edhe ajo me Malën dhe i kërkova një standard, pasi Jorgji është një nga arbitrat më të mirë. Nuk jam edhe aq i qetë, pasi dua lojë të mirë nga fillimi në fund. Sikur bëmë në pjesën e dytë me Vllazninë”.