Nga Judy Dempsey
Bashkimit Evropian ka miratuar një regjim të ri global të sanksioneve për shkelësit e të drejtave të njeriut. Por, a do të vazhdojnë të pengojnë interesat kombëtare, bashkimin e vendeve anëtare për një mbrojtje efektive të qytetarëve në vende si Bjellorusia, Kina dhe Rusia?
Ken Godfrey, drejtor ekzekutiv i Partneritetit Evropian për Demokraci:
E gatshme? Kryesisht po. Në gjendje t`a bëjë këtë? Jo mjaftueshëm. BE është në përgjithësi një mbështetëse e fortë e të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Ajo ka ndërmarrë së fundmi hapa për t`a përforcuar këtë imazh përmes një mekanizmi të ri të sanksioneve për të drejtat e njeriut, dhe një Plani të ri të Veprimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë.
Edhe Komisioni Evropian i drejtuar nga Ursula Von Der Leyen, është më i gatshëm që të flasë kundër abuzimeve të caktuara me të drejtave të njeriut, krahasuar me paraardhësin e
saj. Retorika mbështetëse është atje, por gjithsesi BE ka limitet e veta kur është fjala për të vepruar.
BE vuan nga nevoja për unanimitet në politikën e jashtme. Përkundër përpjekjeve të brendshme për të shmangur vendimet me një shumicë të kualifikuar mbi çështjen e drejtave të njeriut në Këshillin e BE-së, ekziston një bllok i qartë vendesh anëtare që kanë shprehur kundërshtimin e tyre.
Gjithsesi, përkundër këtij dështimi, mbështetësit e të drejtave të njeriut duhet të vazhdojnë
të ushtrojnë presion për ndryshim; pasi pa të, gjërat nuk kanë gjasa që të përmirësohen. Njëkohësisht, BE duhet të bëjë një punë më të mirë për ta lidhur ndihmën dhe tregtinë e saj me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Ndihma në para ndaj regjimeve fajtorë për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, është një njollë turpi në historikun e BE-së për mbrojtjen të drejtave të njeriut.
Sonja Licht, presidente e Fondacionit të Beogradit për Reformat Politike
BE nuk ka rast më të mirë për të treguar domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të njeriut sesa në Ballkanin Perëndimor. Perspektiva evropiane e këtyre vendeve, edhe pse sot më pak sesa pas takimit të samiti të BE-së në Selanik në vitin 2003, është ende ajo që mund të sjellë paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm në këtë enklavë të anëtarëve aspirantë, të rrethuar gjeografikisht nga vetë unioni.
Me përjashtim të Bosnjes dhe Kosovës, të gjitha vendet e tjera ose po negociojnë tashmë me Brukselin ose do të fillojnë se shpejti bisedimet. Prandaj, ky është pikërisht momenti që ata dhe BE-ja të dëshmojnë së bashku, se do të kalojnë testin thelbësor të zbatimit të kritereve të Kopenhagës të bazuar mbi të drejtat e njeriut.
Kapitujt negociues të BE-së për anëtarësimin, ai XXIII mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, dhe XIV mbi drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, përfshijnë elementet themelore të kritereve të Kopenhagës. Ato janë bërë baza e procesit të pranimit në BE të vendeve.
Të Ballkanin Perëndimor, shumë më tepër sesa në zgjerimet e mëparshme.
BE do të ketë një shans unik për të konfirmuar se i merr vërtet seriozisht parimet e veta, dhe të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e fortë dhe e vendosur kur adreson të drejtat e njeriut në nivel global, ashtu edhe në rajonet fqinje me të, ndërsa mbetet një fanar në luftën kundër ndryshimit të klimës dhe për paqen.
Saime Ozçürümez, profesore e asociuar në Departamentin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Universitetin Bilkent, Ankara:
BE-ja mund të jetë e gatshme që të mbrojë në nivel global të drejtat e njeriut, por a ka ndonjë rrugë të qartë se si t`a bëjë këtë në mënyrë efektive?Vendosmëria e BE-së për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në nivel global është e dukshme.
Por aftësia e saj për të luftuar kundër abuzime me të drejtat e njeriut në fushën e emigracionit, është seriozisht e kufizuar. Së pari, abuzimet me të drejtave të njeriut përbëjnë një nga shkaqet kryesore të zhvendosjes së detyruar. Deri më tani, BE nuk ka qenë në gjendje të adresojë me efektivitet shkaqet thelbësore të konfliktit, si varfëria e vazhdueshme dhe pabarazia.
Së dyti, BE është një destinacion për të zhvendosurit me dhunë. Por ajo ka vështirësi në ndërtimin e një kornize solide dhe efektive për të dëshmuar solidaritet dhe pasur një ndarje të drejtë të përgjegjësive dhe mbrojtjen e refugjatëve.
Së treti, mbrojtja e vlerave universale të dinjitetit njerëzor, kërkon njohjen e shumëllojshmërisë së vetë shkeljeve dhe ndikimin e tyre mbi të mbijetuarit. Në fakt, rekordi global për adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në lidhje me trafikimin njerëzor, punën e detyruar, dhunën me bazë gjinore dhe fëmijët e pashoqëruar që janë jashtëzakonisht të prekshëm, është shumë i dobët.
Hugh Williamson, drejtor i divizionit të Evropës dhe Azisë Qendrore në organizatën “Human Rights Watch”:
Bashkimi Evropian ka qenë në përgjithësi i gatshëm të trajtojë çështjet e të drejtave të njeriut në forumet ndërkombëtare, por shpesh pa rezultate konkrete. Shihni ngjarjet në Bjellorusi, Rusi dhe Turqi. BE mori një pozicion të ashpër dhe të prerë ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në Bjellorusi pas zgjedhjeve të gabuara në gushtin e vitit 2020.
Blloku vendosi sanksione mbi 80 zyrtarë bjellorusë, përfshirë vetë presidentin bjellorus Alexander Lukashenko. Por duhet të përcaktohet një kurs i qartë i veprimit edhe në të ardhmen.
Edhe për Rusinë, BE i di abuzimet e mëdha me të drejtat e njeriut në vend, por ka gjetur pak mjete për të ushtruar një presion efektiv ndaj Kremlini që ky të ndryshojë kursin. Si një hap më praktik, BE duhet t`a mbështesë shoqërinë civile ruse përmes lehtësimit të regjimit të vizave dhe bursave të studimit për të.
Në lidhje me Turqinë, Brukseli e ka theksuar rëndësinë e të drejtave të njeriut në një vend që po negocion ende për anëtarësimin e saj në union. Por i lë pas dore të drejtat e njeriut, ku rriten tensionet gjeopolitike që përfshijnë bashkëpunimin BE-Turqi mbi emigracionin.
BE dhe shtetet e saj anëtare, duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që të drejtat e njeriut, të jenë një prioritet i qëndrueshëm edhe përballë faktorëve të tjerë gjeopolitikë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
*Marrë me shkurtime



