Dhuna në stadium, ndëshkohen Skënderbeu dhe Partizani

schedule17:11 - 22 Gusht, 2018

schedule 17:11 - 22 Gusht, 2018

Skënderbeu e Partizani do të luajnë disa ndeshje pa spektatorë dhe do të paguajnë gjoba të rënda për dhunën që ndodhi në ndeshjen mes tyre në Korçë. Ky ishte vendimi i Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Pritej dënim i ashpër dhe nuk ishte i lehtë. Edhe pse nuk pati humbje ndeshjeje në tavolinë, sërish Skënderbeu e Partizani u ndëshkuan fort për dhunën që ndodhi në ndeshjen mes tyre, në javën e parë të Superligës.

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, përcaktoi 5 ndeshje pa spektatorë për klubin korçar, dhe 4 takime pa tifozë për klubin kryeqytetas. Jo vetëm kaq, por Skënderbeu mori edhe 300 000 lekë të reja gjobë, ndërsa ndëshkimi financiar për Partizanin ishte 200 000 lekë.

Disiplina argumentoi se kjo ndodhi për shkak të sjelljes së gabuar të spektatorëve, duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës, duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes.

Komisioni u mbështet në nenin 66, pika 1 dhe 3, të Kodit të Disiplinës.

Gjithsesi, Skënderbeu nuk u akuzua për dështim në përmbushje të përgjegjësive, për mosmarrjen e masave të duhura të sigurisë për takimit, dhe një akuzë e tillë mund ta kishte rënduar dënimin.

Ndeshja në Korçë u ndërpre për disa minuta për hyrje të tifozëve në fushë, ndërsa besohet se agjentët privatë të sigurisë ishin të pamjaftueshëm. Policia e Shtetit, ashtu siç kishte deklaruar, qendroi jashtë stadiumit, dhe hyri në të vetëm kur u sinjalizua për çfarë po ndodhte. Të dy klubet kanë të drejtën e apelimit deri 5 ditë pas marrjes së vendimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!