Kompania “Autostrada për Italinë” ka lëvruar 500 milionë eurot e premtuara për riparimin e dëmeve të tragjedisë së urës Morandi. Ndërkohë, kryeministri Conte, përveç se e ka vlerësuar një shifër modeste ka deklaruar se qeveria ka marrë oferta të tjerë për rindërtimin e urës.
Kompania “Autostrada për Italinë” ka aprovuar të martën fondin prej 500 milionë eurosh, si dëmshpërblim për shembjen e urës Morandi. Lëvrimi i fondit ishte paralajmëruar javën e kaluar nga administratori Giovanni Castelluçi, por megjithatë, qeveria italiane duket e vendosur të vijojë me procedurat për tërheqjen e koncesionit të mirëmbajtjes së autostradave.
Në përfundim të mbledhjes së parë të bordit që nga dita e tragjedisë, kompania ka paralajmëruar se do të vendosë më vonë për përgjigjen e saj ndaj lëvizjes së qeverisë. “Autostrada për Italinë”, e kontrolluar nga kompania “Atlantia”, menaxhon rreth 3 mijë kilometra rrugë të Italisë dhe zotëron mbi 60 për qind të fitimeve të kompanisë mëmë.
Më herët gjatë së martës, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte deklaroi për të përditshmen “Corriere della Sera” se 500 milionë eurot e ofruara janë një shumë modeste. “Ata i kanë mundësitë ta katërfishojnë ose pesëfishojnë shumën”, tha Conte. Kryeministri theksoi se qeveria e tij po punon për përcaktimin e masave penalizuese ndaj “Atlantias” dhe shtoi se në Romë kanë ardhur oferta alternative për rindërtimin e urës.
“Atlantia”, që zotërohet nga familja Benetton, fitoi koncesionin për mirëmbajtjen e rrugëve të Italisë rreth 20 vjet më parë. Tani, disa anëtarë të qeverisë bëjnë thirrje që procesi i mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore të kthehet në duart e shtetit./abcnews.al