Kreu i shtetit mblodhi ditën e sotme në Presidencë kryeministrin Edi Rama, kreun e PD-së, Lulzim Basha, ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim, ministrin Peleshi dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë.
Në fokus ishin masat përgatitore në lidhje me fazën përmbyllëse të stërvitjes ushtarake të koduar ”Defender Europe 21/DE21”, e planifikuar për t’u zhvilluar në rajon, përfshirë Shqipërinë, nga data 1 maj deri më 14 qershor 2021.
Pjesë e takimit ishte edhe gjeneral major Joseph Jarrard, Zv. Komandant Gjeneral i Ushtrisë së SHBA në Europë, i cili gjatë fjalës së tij e vendosi theksin te bashkëpunimi me Shqipërinë.
“Dua të falënderoj Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Ministrin Peleshi për pritjen e tyre sot. Patëm një diskutim të shkëlqyer mbi mënyrën se si mund të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin tonë nëpërmjet stërvitjeve të ardhshme ushtarake të SHBA, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare.
Një aleate e palëkundur e NATO-s prej vitit 2009, Shqipëria është një partnere strategjike e sigurisë për Shtetet e Bashkuara – si në rajon, ashtu edhe në botë. Shqipëria po investon ndjeshëm për të forcuar gatishmërinë e saj për mbrojtjen kolektive të NATO-s, duke punuar ngushtë me SHBA për të përmirësuar aftësitë në të gjitha fushat.
Ne kemi qenë dëshmitarë të guximit dhe vendosmërisë së shqiptarëve në Afganistan, Kosovë dhe Irak dhe, përmes Partneritetit Kombëtar të Shqipërisë me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit.
Ndërsa ne jemi ende duke planifikuar stërvitjen DEFENDER-Europe 21, presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Shqipëria do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake që po afrojnë, dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon.
Faleminderit edhe një herë për mirëpritjen tuaj të ngrohtë në Shqipëri dhe pres me kënaqësi edhe më shumë vite mbështetjeje të ndërsjellë me aleaten tonë të vyer, Shqipërinë” tha Gjeneral Major Joseph Jarrard, Zv. Komandant Gjeneral i Ushtrisë së SHBA në Europë. / db/Abcnews.al