Laçi ka bërë shumë mirë në dy javët e fundit. Fitore ndaj Tiranës në kryeqytet dhe Teutës në Kurbin. I njëjti rezultat 1-0, dhe i njëjti shënues: Mentor Mazrekaj.
Trajneri i bardhezinjve, Shpëtim Duro flet rreth ecurisë së skuadrës së tij në emisionin “Pressing” në ABC, aty ku ndalet edhe te “finalja” e javës së ardhshme ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”.
“Deri në këtë moment, duke parë klasifikimin, 9 pikë janë shumë. Nuk është dorëzim, çdo javë mund të sjellë ndryshime, por diferenca është shumë e madhe. Kemi bërë gabime ne, Partizani dhe Kukësi, edhe të tjerët. Duhet të fitojmë 100% të gjithë skuadrat, Vllaznia është në pozita komode.
Kjo javë mund të sjellë ndryshime, ku i dihet… Nuk janë pak 9 pikë diferencë. Vllaznia është me meritë aty ku është, padiskutim, por janë skuadër kompakte, nuk shoh ndonjë bukuri të madhe në lojën e tyre. Sepse dëgjoj nga të gjithë se bëjnë spektakël.
Kanë fituar 5 ndeshje në minutat e fundit! Dora e trajnerit duket. Ka stabilitet Vllaznia, por jo se bëjnë ndonjë lojë shumë të bukur. Ka marrë pikët dhe ndihen komodë, ne nuk mund të gabojmë më.
Dy herë na erdhën ne në portë kur luajtëm me ta dhe fituam. Pikët i ka dhe pikët të japin moral. Patjetër që vrapojnë shumë dhe janë ekipi më i mirë deri tani“, deklaron trajneri i Laçit. /abcnews.al