Greqia i thotë lamtumirë Trojkës

schedule11:12 - 20 Gusht, 2018

schedule 11:12 - 20 Gusht, 2018

Greqia zyrtarisht i ka thënë lamtumirë Trojkës dhe është larguar nga plani ndihmues ekonomik ndërkombëtar. Ndërkohë, problemet në shtetin Helen mbeten të mëdha duke filluar nga papunësia, ulja e pagave dhe pensioneve. Por tashmë qeveria e Athinës pret rimëkëmbjen.

Greqia i thotë lamtumirë Trojkës dhe zyrtarisht del nga plani i fundit i ndihmës ndërkombëtare që ka shmangur falimentimin dhe daljen nga euro, me koston e reformave të rënda. Pra, epoka e shpëtimeve të BE-FMN ka mbaruar. Pas Portugalisë, Irlandës, Spanjës dhe Qipros, Greqia ishte anëtari i fundit i Eurozonës që përfitoi nga një program ndihme ndërkombëtare pas krizës.

Siç njoftoi Kryeministri Alexis Tsipras, Greqia tani duhet të “kthehet në një vend normal”. Një normalitet që nuk do të thotë fundi i krizës ekonomike dhe sociale që ka shkatërruar vendin për pothuajse nëntë vjet. Problemet për shumicën e popullsisë mbeten serioze – papunësia, ulja drastike e pagave dhe pensioneve, vështirësitë për sektorin shëndetësor, arratisje jashtë vendit për pothuajse gjysmë milioni grekë dhe sipas fjalëve të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Greqisë, Yannis Stournaras , mbetet ende “një rrugë e gjatë” për të rimëkëmbur ekonominë.

Pas këtij zhvillime kanë ardhur dhe disa reagime nga Unioni. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në një mesazh në Tuitër shkruan: “Ia dolët! Përgëzime për Greqinë dhe popullin e saj për dhënien fund të programit të ndihmës financiare. Me përpjekje të mëdha dhe solidaritet europian ju keni fituar të ardhmen”.

Qeveria greke është këshilluar të vazhdojë përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra në 3 programet e shpëtimit, në të kundërt rrezikon të humbasë shumë në tregje, pasi ende konsiderohet si një shtet që preket shumë nga kriza që mund të ndodhin në botë. Megjithatë, disa shenja pozitive janë regjistruar në ekonominë helene. Në 2018-n është rritur Prodhimi i Brendshëm Bruto në 2%, ndërsa në 2019-n parashikohet 2.3%. Turizmi është burimi vital i ekonomisë greke. Në 2018-n është shënuar rekord, pasi mbi 30 milionë persona vizituan Greqinë.

Ndërkohë, fillimi i “tragjedisë greke” ndodhi në fund të 2009-s, në mes të krizës ekonomike botërore, kur kryeministri i atëhershëm Papanderu deklaroi se paraardhësit e tij kishin falsifikuar bilancet. Pas vitesh lëkundje ekonomike, politike dhe sociale, dhe lëkundjesh për të gjithë eurozonën, kthimi vendimtar ishte referendum i Aleksis Tsipras në 2015-n, ku u rrëzun kërkesat e Trojkës evropiane në këmbim të një transhi të ri ndihmash.

Por këto masa më pas u pranuan, pasi vendi rrezikonte të mos jepte pagat dhe pensionet. Që prej asaj kohe, Tsipras ka menaxhuar mjaft mirë vendin. Ky rrugëtim tashmë i përket të shkuarës, pasi për Greqinë nisë një epokë e re./abcnews.al