Ilir Daja, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Vllazninë ka dalë në konferencë për shtyp dhe kërkon që skuadra e tij ta marrë shtruar këtë përballje, pasi motivimi i tepërt mund të shkaktojë të papritura. “Përballemi me Vllazninë që është në vend të parë. E ka merituar gjithçka, qoftë me lojë, qoftë me rezultate.
Është një sfidë radhe, që ka vlerën e tre pikëve, njëlloj si sfidat që kaluam, derbi dhe ndeshja me Teutën që renditej në një pozicion me ne. Duhet të futemi në fushë për të fituar, por pa doza emocionale. E dimë që motivimi do të jetë i duhuri, por duhet të në udhëheqë logjika për të shkuar drejt tre pikëve”, tha fillimisht Daja.
Nga ndeshja e parë, që Partizani e humbi në Shkodër, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe tekniku i të kuqve i rreshton: “Nga ndeshja e parë ka kaluar një fazë, u mundëm në minutat e fundit. Pjesën e parë nuk bëmë një ndeshje të keqe. Kur loja po shkonte drejt barazimit dhe në momentin tonë më të mirë erdhi ai gol.
Kemi disa javë në dispozicion për këtë ndeshje, kemi punuar gjithë javës dhe jemi shtuar gjatë kësaj periudhe. Jo të gjithë do jenë gati për nesër. Kemi stabilitet dhe moral të mirë, pasi kemi fituar dy ndeshje dhe barazuam në Durrës. Ndjehemi mirë psikologjikisht dhe në komponentët e tjerë. Këto janë ndryshimet nga ndeshja e parë”.
Me Teutën, një nga prurjet e janarit u ndëshkua me karton të kuq. “Murataj është një forcë e shtuar në merkato, ka bërë dy prezantime të mira. Kemi kontingjentin për ta zëvendësuar atë, pavarësisht se nëse do të ishte pjesë e ndeshjes me Vllazninë, atëherë do të ishte një forcë e shtuar për ekipin tonë”, shtoi Daja.
Në lidhje me motivimin, trajneri i Partizanit u rikthyer të fliste edhe më pas: “E kemi trajtuar këtë ndeshje bashkë me grupin. Kundërshtari duhet vlerësuar drejt. Kjo ndeshje është si të tjerat e kampionatit, pavarësisht se luajmë me kryesuesit e kampionatit dhe një hap fals do të bënte të largoheshim nga pretendimet madhore. Besoj se motivimin në nivele optimale, pa kaluar në momente frenimi. Doza e shtuar emocionale prish manovrën dhe ekuilibrin”.
Finalizimi i rasteve para portës është një problem, por Daja duket optimist: “Është pozitive, që kemi sulme të shtuara dhe situata para portës. Besoj se gjatë gjithë kohës punojmë për të shtuar finalizimin dhe për të shtuar rezultatet, pasi goli të jep gjendje tjetër psikologjike. Me shtimin e forcave sulmuese, jo në ndeshjen e nesërme, në javët në vazhdim do kemi më shumë alternativa. Rivaliteti dhe shtimi i përgjegjësisë do të përqendrojë lojtarët për të finalizuar më mirë para portave të kundërshtarëve”.
Sigurisht nga salla e konferencës nuk mund të mungonte një pyetje në lidhje me merkaton e Partizanit dhe Daja u shpreh: “Po punojmë intensivisht, edhe mbrëmë kemi parë elementë të ndryshëm. Kemi 2-3 alternativa, por nuk kemi vendosur. Nuk duam të bëjmë gabime që mund të na kushtojnë në vazhdimësi”.
Në fund trajnerit të Partizanit i vihet në dukje fakti që Vllaznia është ekipi i minutave të fundit, pasi ka fituar disa herë në limite. Daja përgjigjet kështu: “Futbolli luhet 95 minuta, duhet vlerësuar ndeshja nga fillimi në fund njëlloj. Besoj se kemi kontingjentin e duhur për të freskuar ekipin pa prishur ekuilibrat në fushë.
Kemi më shumë mundësi që edhe në minutat e fundit të bëjmë më të mirën, sikurse ndodhi edhe në ndeshjen me Teutën. Edhe me një lojtar më pak në fund kishim mundësi për të shënuar dhe për të marrë tre pikët. Kjo duhet të vazhdojë dhe mendoj se do të jetë prezente edhe kundër Vllaznisë”. /abcnews.al